Paralajmërimi vjen pasi një foshnjë nëntëmuajshe, e cila jetonte në një tendë, vdiq javën e kaluar nga hipotermia e dyshuar, ndërsa organizatat e OKB-së dhe autoritetet në Gaza kanë raportuar edhe rritje të rasteve të sëmundjeve të frymëmarrjes.

Reshjet e dendura të shiut tashmë kanë përmbytur dhjetëra mijëra tenda ku janë strehuar palestinezët e zhvendosur, pas shkatërrimeve të mëdha të shkaktuara nga lufta mes Izraelit dhe Hamasit, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.

“Pa strehim të përshtatshëm dhe pa artikujt thelbësorë për ndihmë, do të ketë vdekje nga hipotermia”, deklaroi të martën Karl Baker, drejtues i programit të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) në Gaza.

Ai theksoi se fëmijët janë veçanërisht të rrezikuar, pasi humbin më shpejt nxehtësinë e trupit.

“Është e papranueshme që në botën moderne të ketë raste të hipotermisë”, tha Baker, duke bërë të ditur se IOM-it i mungojnë 173 milionë dollarë për programet e strehimit gjatë dimrit.

Sipas tij, rreth 100 mijë tenda janë në pritje për t'u futur në Gaza, por procesi po pengohet nga mbyllja e pikëkalimeve kufitare dhe kontrollet e gjata të sigurisë nga Izraeli.

Baker kërkoi gjithashtu financimin dhe lejimin e strukturave më të qëndrueshme për strehim, përfshirë karvanët dhe shtëpitë e parafabrikuara.

Ndërkohë, agjencia ushtarake izraelite COGAT, e cila koordinon dërgimin e ndihmave, ka deklaruar se ka një plan për përgatitjen për dimër dhe se furnizimet dhe ilaçet vazhdojnë të hyjnë në Gaza.

Sipas të dhënave të OKB-së, shumica e rreth 2.1 milionë banorëve të Gazës janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre dhe janë detyruar të qëndrojnë në një pjesë gjithnjë e më të vogël të territorit.

Duke përshkruar kushtet në të cilat jetojnë familjet e zhvendosura, Baker tha se kishte takuar një familje të lagur nga shiu, e cila po strehohej nën mbulesa të vjetruara dhe të dëmtuara.

“Gaza po shndërrohet në një kamp të madh për personat e zhvendosur. Është një nga vendet më të këqija që kam vizituar”, deklaroi ai.