Vendosni fjalën kyçe....

Majko sqaron deklaratën në Asamblenë e PS: Kërkova largimin e personave me lidhje me krimin, nuk fola për video erotike


Ish-deputeti socialist Pandeli Majko ka reaguar lidhur me lajmet që qarkulluan në media për fjalën e tij gjatë debateve në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, ku u njoftua edhe shkarkimi i Erion Veliajt nga drejtimi i PS-së në Tiranë dhe përjashtimi i Elisa Spiropalit nga çdo funksion në parti.

Përmes një reagimi publik, Majko sqaroi se në fjalën e tij nuk ka diskutuar për çështje të karakterit erotik, por për kontaktet e papërshtatshme dhe diskredituese me krimin e organizuar. Ai tha se ka kërkuar largimin nga politika të personave që kanë lidhje të tilla.

Sipas tij, gjatë mbledhjes ka përmendur vetëm një informacion publik lidhur me video të sekuestruara nga SPAK, të cilat, sipas raportimeve, dyshohet se ndodhen në duart e biznesmenit Ergys Agasi, i akuzuar në dosjen “AKSHI”.

“Ndjesë e detyruar”… Po ndjek me humor “daullet” e mediave, sipas të cilave në mbledhjen e fundit të Asamblesë së PSSH-së jam “shqetësuar” për erotizmin dhe ndershmërinë e kolegëve të mi socialistë! Në fakt, në fjalën time në Asamblenë Kombëtare kam folur për kontaktet e papërshtatshme dhe diskredituese me krimin e organizuar! Në mbledhje kërkova që këta njerëz të largohen nga politika! Në fjalën time përmenda veç një informacion publik për video të sekuestruara nga SPAK-u”, shkruan Majko.