Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit për dënimin me 12 vite burg të biznesmenit italian Francesco Becchetti.
Vendimi i Gjykatës së Lartë konfirmon dënimin e dhënë nga Apeli, i cili kishte ndryshuar masën e dënimit të caktuar në shkallën e parë.
Fillimisht, Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë e kishte dënuar Becchettin me 17 vite burg, por në përfundim të shqyrtimit në Apel, dënimi u ul me pesë vite, duke u caktuar në 12 vite heqje lirie.
Biznesmeni italian është shpallur fajtor për veprat penale të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Krijimit të skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.
Me të njëjtin vendim të Apelit, me 12 vite burg është dënuar edhe Mouro de Renzis, nga 16 vite që kishte marrë në shkallën e parë.
Ai është shpallur fajtor për falsifikim dokumentesh, vjedhje duke shpërdoruar detyrën, krijim të skemave mashtruese dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Në rastin e De Renzis, bashkimi i dënimeve për veprat penale në një dënim të vetëm solli reduktimin e masës së përgjithshme të burgimit me katër vite.
Ndërkohë, Gjykata e Lartë ka lënë të pandryshuara edhe dënimet për Eriona Troplinin dhe Liliana Condimittin, të cilat janë dënuar me nga tetë vite burg secila.
Becchetti vijon të jetë në arrati
Pavarësisht vendimit përfundimtar të lënë në fuqi nga Gjykata e Lartë, Francesco Becchetti nuk ndodhet në Shqipëri dhe vijon të jetë në arrati.
Për biznesmenin italian është lëshuar një mandat arresti ndërkombëtar, ndërsa ekzekutimi i vendimit të dënimit mbetet i lidhur me lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Procesi gjyqësor ndaj Becchettit është shoqëruar me zvarritje të shumta ndër vite.
Vetëm në Gjykatën e Apelit, nga janari i vitit 2024, seancat gjyqësore janë shtyrë plot 20 herë, duke zgjatur ndjeshëm përfundimin e shqyrtimit të çështjes.












