Close Menu
Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    Lajmet e fundit

    Të djathtët e mirë dhe shqiptarët e rehatshëm

    Kontrollet në burgun e Fierit, zbulohen doza të dyshuara ha*hashi

    Gjermania akordon 300 milionë dollarë ndihmë për Ukrainën, përparësi mbrojtja ajrore

    Facebook X (Twitter) Instagram
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    • Aktualitet
      • Aktualitet
      • Politike
      • Ekonomi
      • Sociale
      • Fokus
    • Opinion
    • Lifestyle
      • Showbiz
      • Udhetim & Turizëm
      • Kulturë
      • Shëndet
      • Horoskopi
      • Dekor
      • Trende
      • Teknologji
    • Botë
      • Kosovë
      • Rajon
      • Botë
    • Sport
    • Troç
    Youtube
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    You are at:Home » Të djathtët e mirë dhe shqiptarët e rehatshëm
    Kryesore

    Të djathtët e mirë dhe shqiptarët e rehatshëm

    November 17, 2026

    Një botues shqiptar i së djathtës gjermane ia thotë Tiranës troç: për politikën gjermane Shqipëria është «krejtësisht pa rëndësi», «partneriteti» është fjalë boshe, dhe partitë te të cilat shqiptarët vunë bast po tërhiqen. Ledio Albani, në katërmbëdhjetë përgjigje.

    Intervistoi: Albatros Rexhaj

    Ledio Albani e quajti shtëpinë e tij botuese Castrum, me fjalën latine për kampin e fortifikuar të legjioneve. Revistës i vuri emrin Fiume, si qyteti që Gabriele D’Annunzio e pushtoi me legjionarët e tij më 1919. Njeriu që i zgjedh emrat kështu nuk i fsheh synimet.

    Lindi në Shkodër më 1987, u rrit në Gjermani dhe pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar në Austri. Castrum-in e themeloi në Vjenë më 2021 dhe verën e këtij viti e solli në Berlin. Ka përkthyer «Personae» të Ezra Pound-it. Boton Maximilian Krah-un, deputet i AfD-së në Bundestag, Hans-Thomas Tillschneider-in, nënkryetar i parlamentit të Saksonisë-Anhaltit, dhe Iddo Netanyahu-n. Në Panairin e Librit në Frankfurt, i pyetur se kush janë ata të Castrum-it, u përgjigj: «Ne jemi të djathtët e mirë.»

    I dërgova katërmbëdhjetë pyetje me shkrim. Doja të dija si duket Berlini zyrtar në sytë e një shqiptari që e njeh nga brenda Gjermaninë tjetër, atë që sot kryeson parlamentin e një landi dhe nesër mund të ulet në qeveri. Doja të dija edhe çfarë mendon kjo Gjermani për shqiptarët dhe për Kosovën.

    Përgjigjet i botoj të plota.

    I. Midis Shkodrës dhe hapësirës gjermanofolëse

    AR: Ju keni lindur në vitin 1987 në Shkodër dhe jeni formuar në hapësirën gjermanofolëse, ku keni themeluar edhe shtëpinë tuaj botuese, fillimisht në Vjenë e tashmë në Berlin. Sa shqiptare dhe sa gjermane është bota juaj e brendshme? Dhe si ju sheh mjedisi intelektual në të cilin keni arritur të afirmoheni? A konsideroheni natyrshëm pjesë e tij, apo origjina juaj shqiptare mbetet gjithmonë një element përmes të cilit të tjerët ju përkufizojnë?

    LA: Besoj se përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje prek disi vetë themelet e epokës sonë. Kam lindur në Shqipëri, jam rritur në Gjermani dhe pjesën më të madhe të jetës sime e kam kaluar në Austri. Gruaja ime vjen nga Shën Petersburgu në Rusi. Fëmijët ndjekin një shkollë anglishtfolëse. Pra, në shtëpinë tonë fliten disa gjuhë, siç mund ta imagjinoni (qesh).

    Unë besoj fort në identitetet, rrënjët, traditat dhe trashëgiminë. Rrjedhimisht, e ndiej veten natyrshëm pjesë të botës shqiptare. Por besoj gjithashtu se ne shqiptarët, pikërisht për shkak të rrethanave tona historike, kemi këtë prirje për t’u shtrirë drejt botës së jashtme. Prandaj, kthesa të tilla biografike na vijnë më lehtë sesa popujve të tjerë. Në rastin tim kjo vlen në një masë shumë të madhe, por besoj se vlen edhe për shumë bashkatdhetarë.

    II. Shkrimtari dhe botuesi

    AR: Ju jeni marrë me filozofi dhe i jeni përkushtuar një tradite letrare që qëndron larg shijeve mbizotëruese të kohës. Çfarë kërkoni në letërsi dhe çfarë ju mungon në kulturën e sotme gjermanofolëse? Çfarë vendi zë letërsia shqiptare në këtë kërkim? A ka autorë shqiptarë që meritojnë një vend në debatin letrar gjerman dhe përse nuk e kanë fituar ende atë?

    Po, kjo është krejtësisht e saktë, ndonëse duhet të theksoj se pothuajse çdo projekt i ri përpiqet fillimisht, thuajse si një ligjshmëri, ta definojë veten përmes mohimit të asaj që gjen përpara, si një antitezë.

    Në kohën tonë, dhe veçanërisht në raport me kulturën gjermanofolëse, kjo është edhe më e rëndësishme. Prej disa dekadash ekziston këtu një prirje drejt uniformitetit, e cila vetëm tani, dhe ngadalë, po fillon të thyhet. Ndoshta ne, me shtëpinë botuese Castrum, mund të luajmë një rol në këtë drejtim.

    Në botën shqiptare kjo është edhe më e ndërlikuar, sepse rebelimi zhvillohet gjithmonë në dy nivele. Nga njëra anë, kemi frymën e kohës dhe, nga ana tjetër, kulturat evropiane, pakrahasimisht më të mëdha, si kundërpeshë. Të mbrohesh ndaj tyre dhe njëkohësisht të krijosh diçka autentike është tepër e vështirë.

    Po e them që tani: për fat të keq, në Shqipëri kjo arrihet tepër rrallë. Dëshira për t’u përfshirë, për të marrë pjesë, sidomos në fushën kulturore, prodhon shpesh imitime të një kulture evropianoperëndimore që vetë është tashmë në rënie. Kundërkulturat autentike lindin atëherë kryesisht jashtë vëmendjes së të ashtuquajturit mainstream, si në Evropë, ashtu edhe në Shqipëri.

    Me shtëpinë botuese Castrum keni ndërtuar një institucion me një profil të dallueshëm. Në Frankfurt keni thënë se rruga juaj kalon përmes rrymës kryesore dhe se synoni të pushtoni. Çfarë dëshironi të pushtoni? A është Castrum në radhë të parë një projekt letrar, filozofik apo një projekt kulturor me ambicie politike?

    Castrum e nisa në vitin 2021 si një projekt botues, si një shtëpi botuese. Ky është thelbi dhe ky do të mbetet thelbi. Por projekte të tilla janë gjithmonë edhe organizma të gjallë; ato zhvillohen jo rrallë në mënyrë të paparashikuar dhe sipas parimeve të veta.

    Më së voni, me themelimin e revistës FIUME, veprimtaria thjesht publicistike dhe prodhimi i librave janë ngritur në një sferë të re, më të gjerë kulturore, madje edhe politike. Ndoshta në kohën tonë kjo nuk mund të ndodhë ndryshe.

    Edhe fjala disi luftarake «pushtim» nuk ka të bëjë vetëm me sferën publicistike, por nënkupton një fushë që shkon përtej saj. Megjithatë, për mua është jashtëzakonisht e rëndësishme të theksoj se të gjitha këto gjëra, synime apo pushtime, organizohen gjithmonë duke u nisur nga parësia e kulturës.

    Ne nuk duam të merremi drejtpërdrejt me politikën ditore, por ta synojmë politikën nga pozita e një sfere të mirëfilltë kulturore dhe, po, me kënaqësi edhe ta pushtojmë atë.

    AR: Ju keni përkthyer Ezra Pound-in dhe keni themeluar revistën Fiume, emri i së cilës të çon te Gabriele D’Annunzio. Të dyja këto figura bashkojnë arritje të mëdha artistike me një histori politike të komprometuar rëndë. Çfarë ju tërheq tek ata dhe a besoni se arti mund të ndahet plotësisht nga bindjet politike të krijuesit të tij?

    LA: Të dyja figurat, si Pound-i ashtu edhe D’Annunzio, kërkojnë njëfarë shpjegimi ndaj botës, në një kohë politikisht shumë të ndërgjegjësuar, për të mos përdorur termin «woke». Për mua, të dy janë fillimisht me interes të madh për shkak të qëndrimit të tyre të pakompromis në art. Të dy i bashkon një ndërthurje pothuajse maniake e qëndrimit poetik me jetën e përditshme.

    Pound-i e bën këtë të shkëlqejë thuajse fjalë për fjalë në përmbledhjen poetike «Personae», të cilën e kam përkthyer (ose, më mirë të them, e kam riinterpretuar) nga anglishtja: një formë e poezisë së hiperpersonalizuar. Te D’Annunzio kemi një formë të jetës së hiperpoetizuar.

    Na duhet më shumë nga të dyja: ta bëjmë artin të gjallë, nga njëra anë, dhe ta poetizojmë jetën, nga ana tjetër. Pikërisht këtu qëndron magjepsja e madhe.

    III. Polemika

    AR: Botimi i romanit të Maximilian Krah-ut dhe afërsia e Castrum-it me autorë të së djathtës kanë shkaktuar kritika dhe etiketime politike. Deri në çfarë mase këta libra pasqyrojnë bindjet tuaja personale dhe deri në çfarë mase përfaqësojnë parimin se letërsia duhet t’u japë hapësirë edhe autorëve që nuk pranohen nga konsensusi politik?

    Së pari, duhet thënë qartë se unë qëndroj pas të gjithë librave që botojmë. E drejtoj Castrum pothuajse në mënyrë biografike. Natyrisht, mund të realizoj edhe projekte që nuk përputhen plotësisht me botëkuptimin tim, por edhe në këtë rast, ex negativo, unë do të besoja në këto projekte.

    Përtej kësaj, skena kulturore gjermane dhe, në një masë edhe më të madhe, politika gjermane, ndodhen në një fazë kalimi dhe transformimi. Ajo që sot konsiderohet konsensus dhe rrymë kryesore politike po ndryshon me shpejtësi të madhe. Shikoni, për shembull, rezultatet e sondazheve; aty zhvendosjet bëhen të dukshme.

    Etiketimet e caktuara politike vijnë natyrshëm kur boton libra me personalitete mjaft të njohura nga jeta politike, si Maximilian Krah (deputet i AfD-së në Bundestagun gjerman), Hans-Thomas Tillschneider (nënkryetar i parlamentit të landit të Saksonisë-Anhaltit) apo edhe Iddo Netanyahu (vëllai i kryeministrit izraelit). Por në këtë drejtim unë jam i patrembur. Besoj në kauzën time, besoj në librat që botojmë.

    AR: Në Panairin e Librit në Frankfurt, pyetjes së Tichys Einblick se si e përkufizoni Castrum-in, ju iu përgjigjët: «Ne jemi të djathtët e mirë, do të thosha.» Kjo fjali u tha si reagim ndaj një komenti për reportazhin e gazetës Die Zeit dhe mund të lexohet si ironi. Ne po e marrim seriozisht: Çfarë e bën, sipas jush, një të djathtë të mirë? Ku e vendosni ju vetë kufirin ndaj nacionalizmit etnik, ksenofobisë dhe autoritarizmit, dhe cilin autor nuk do ta botonit?

    LA: Haha. E gjithë kjo ishte paksa një replikë ndaj disa rrymave të djathta, të cilat na atribuojnë një afërsi tepër të madhe me të ashtuquajturin «mainstream», madje na akuzojnë për diçka të ngjashme me dezertimin nga e djathta.

    Kjo është natyrisht absurde. Ne përfaqësojmë në këtë drejtim pozicione të djathta shumë autentike dhe historikisht të mirëthemeluara, siç janë përfaqësuar nga autorët e Revolucionit Konservator në Gjermaninë e shekullit të XX.

    Megjithatë, vija e konfliktit brenda së djathtës në Gjermani, ashtu si edhe në vende të tjera evropiane, kalon përgjatë çështjes së izolimit nacionalist dhe regresit ekonomik të mbështetur mbi kombin. Të dyja këto pozicione janë për mua të papajtueshme me një të djathtë të mirëfilltë.

    Prandaj nuk do të përmend tani autorë konkretë që do t’i botonim apo nuk do t’i botonim. Por ajo që më është krejtësisht e huaj janë, në çdo rast, format e një nacionalizmi të tejkaluar, etatizmi ekonomik, antisemitizmi dhe fantazitë e izolimit shtetëror.

    IV. Shqiptarët dhe Berlini zyrtar

    AR: Në shoqërinë gjermane, shqiptarët përballen shpesh me stereotipa që lidhen me kriminalitetin, migracionin dhe integrimin. A i keni përjetuar personalisht paragjykime të tilla? Na tregoni një rast kur origjina juaj shqiptare ka ndikuar në mënyrën se si jeni trajtuar.

    LA: Origjina përcakton natyrshëm dhe në mënyrë themelore se si njeriu perceptohet nga të tjerët. Për mua kjo është diçka që nuk më shqetëson fare; nuk dua aspak që të jetë ndryshe.

    Pra, nuk ka rëndësi nëse të tjerët na atribuojnë veçori kombëtare apo paragjykime, me të drejtë apo pa të drejtë; kjo do të ndodhë gjithmonë dhe nuk prek vetëm shqiptarët. E rëndësishme është se si ne vetë sillemi me këto veçori tona dhe, rrjedhimisht, me vetëkuptimin tonë: kush jemi dhe kush duam të jemi.

    Zgjedhja ime ka qenë gjithmonë që t’i qasem kësaj në mënyrën më ofensive, madje thuajse të vrullshme. Shpesh e ndiej pothuajse si kënaqësi të luaj me stereotipet, t’i kthej ato në një element prodhues.

    AR: Përfaqësues shqiptarë tregojnë se në bisedat me zyrtarë gjermanë, reputacioni i keq i shqiptarëve u përmendet si pengesë për marrëdhëniet dhe biznesin mes dy vendeve. Kur një popull gjykohet mbi bazën e reputacionit të tij kolektiv, a kemi të bëjmë me një shqetësim legjitim politik apo me një formë racizmi që shoqëria gjermane nuk dëshiron t’ia pranojë vetes?

    LA: Natyrisht, kombet e mëdha, me një histori të gjatë të shkruar, popujt e mëdhenj, pra, janë në mënyrën e tyre disi arrogantë. Besoj se shumica e kombeve më të vogla e pranojnë mjaft mirë këtë. Ekziston një lloj mirëkuptimi i heshtur në marrëdhënien e ndërsjellë brenda kësaj pabarazie forcash.

    Shqiptarët, si një nga kombet e pakta të vogla, përbëjnë në këtë drejtim një përjashtim të rrallë. Ne jemi një komb i vogël me qëndrimin dhe dëshirën e një fuqie të madhe që synon të shtrihet drejt botës së jashtme dhe të zgjerohet.

    Kemi një gjuhë tonën, të dallueshme nga të gjitha të tjerat, dhe formojmë një hapësirë kulturore shumë qartë të përcaktuar, të cilën nuk e ndajmë me shtete të tjera. Në marrëdhëniet me të mëdhenjtë e vërtetë, kjo mund të shkaktojë natyrisht fërkime ose të na cenojë disi krenarinë.

    Por edhe këtu vlen parimi se ne nuk duhet t’i bëjmë veçoritë tona të varura nga mënyra se si na përkufizojnë të huajt ose, edhe më keq, nga dëshira për t’u pëlqyer atyre.

    Edhe me gjëra në dukje problematike, si reputacioni i keq, kriminaliteti e të tjera, mund të përballesh në mënyrë ofensive.

    Kështu, «shqiptari» për evropianët ka një tingëllim disi të egër, të rrezikshëm dhe merr ndonjëherë edhe një karakter pothuajse kërcënues. Mua kjo nuk më shqetëson fare. Përkundrazi, duhet ta pranoj se më pëlqen disi (qesh).

    AR: Si i shohin shqiptarët CDU-ja dhe SPD-ja, partitë që kanë qeverisur Gjermaninë: si partnerë apo si një problem që duhet administruar? Ku e keni përjetuar dallimin midis fjalës zyrtare dhe asaj që thuhet kur mikrofonat janë të fikur?

    LA: Besoj se në rrethanat e politikave aktuale evropiane, Shqipëria është krejtësisht pa rëndësi. Kjo mund të ndryshojë gjithmonë, sigurisht, por Shqipëria nuk përbën ndonjë çështje reale për politikën gjermane.

    Kjo ka disa arsye që nuk janë veçanërisht lajkatare për ne, por edhe disa arsye që flasin në favorin tonë dhe të politikës shqiptare të viteve të fundit.

    Nga njëra anë, madhësia e vendit luan një rol vendimtar. Në të njëjtën kohë, Shqipëria (sidomos në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit) është një rast mjaft i rehatshëm për BE-në.

    Duket krejtësisht e pamundur që vendi të largohet nga rruga evropiane. Mbështetja për NATO-n dhe BE-në tek ne është më e lartë se kudo tjetër dhe, pavarësisht kampeve politike, Shqipëria ka marrë pjesë gjatë tri dekadave të fundit në çdo masë politike evropiane.

    Fakti që vendi ka arritur gjithashtu suksese ekonomike të njëpasnjëshme dhe ka qenë politikisht mjaft i qëndrueshëm, të paktën deri kohët e fundit, nuk ka krijuar ndonjë domosdoshmëri për ta çuar përpara zgjerimin e BE-së, një proces jo fort të pëlqyer në Evropë, përtej deklaratave formale.

    AR: Berlini komunikon me Tiranën në gjuhën e kushteve dhe standardeve, ndërsa anëtarësimi në BE mbetet një premtim. A është kjo gjuha e partneritetit apo e tutelës? Dhe a besoni se Berlini dëshiron ta mbajë këtë premtim, apo ai shërben thjesht si një mjet presioni?

    LA: Natyrisht që këto janë forma të tutelës; kjo është më se e qartë. E dimë ne dhe e dinë edhe evropianoperëndimorët. E vetmja gjë që më habit është fakti se kjo na indinjon rregullisht. Edhe kjo është disi, më duhet ta them kaq ashpër, paranoja jonë historike.

    Në nivel shtetëror theksohet vazhdimisht fjala relativisht boshe «partneritet», por kur një shtet me një fuqi ekonomike shumëfish më të madhe përballet me një tjetër, atëherë nuk mbizotërojnë elementet e miqësisë, por presioni dhe detyrimi.

    V. E Djathta e Re, Kosova dhe shqiptarët
    AR: Partitë tradicionale gjermane po humbasin terren përballë forcave të reja, sidomos në të djathtë. Çfarë kanë humbur CDU-ja dhe SPD-ja në marrëdhënien e tyre me shoqërinë dhe çfarë ka kuptuar E Djathta e Re për gjermanët që këto parti nuk arrijnë ta kuptojnë? A e dalloni të njëjtin ton, predikimin pa dëgjuar, edhe në mënyrën se si Berlini komunikon me vende si Shqipëria?

    LA: Ky zhvillim është, besoj, shumë kompleks, shumëshkakor dhe nuk prek vetëm Gjermaninë, por edhe shtete të tjera evropiane. Mendoj se, në thelb, ai lidhet edhe me pasojat e globalizimit gjatë dekadave të fundit.

    Dalja e vetëbesimshme e rreth një miliard kinezëve dhe, së shpejti, e një miliard indianëve në skenën kryesore të historisë, bashkë me të gjitha pretendimet e tyre politike, ekonomike etj., ka ndryshuar rolin e shteteve perëndimore dhe do të vazhdojë ta ndryshojë atë në mënyrë themelore.

    Borgjezia evropiane mundi, deri në fund të shekullit XX, ta impononte pretendimin e saj për ndikim pothuajse ad libitum, mbi bazën e fuqisë ekonomike dhe epërsisë materiale.

    Kjo po ndryshon tani. Po ndryshon ekonomikisht, siç tregon shembulli i Kinës, por edhe gjeopolitikisht, teksa fuqi dikur të mesme po shfaqen gjithnjë e më të sigurta në vetvete dhe gjithnjë e më pak gati të ndikohen nga politika perëndimore.

    Në këtë kuptim, besoj se parti si CDU-ja dhe SPD-ja, dhe kjo vlen po ashtu për partitë e konsoliduara në vende të tjera evropiane, po ndëshkohen si administratore të kësaj rënieje të pashmangshme.

    Nëse partitë e reja do të arrijnë ta ndryshojnë këtë situatë rrënjësisht të transformuar, kjo mbetet e dyshimtë.

    Frika e borgjezisë nga rënia do të drejtohet, në një afat të mesëm, kundër çdo forme ekzistuese qeverisjeje, pavarësisht nëse ajo është liberale e majtë apo konservatore e djathtë, siç tregon shembulli i Fidesz-it në Hungari.

    AR: Më 11 qershor 2026, Bundestagu zgjati mandatin gjerman të KFOR-it me 382 vota pro dhe 192 kundër. Edhe partia Die Linke votoi kundër, por AfD-ja e arsyetoi kundërshtimin e saj me pretendimin se Kosova konsiderohet një shtet i dështuar dhe, në një mocion të vitit 2023, e quajti Serbinë «shtetin amë» të Kosovës. Si i shpjegoni këto qëndrime? A ekziston brenda së Djathtës së Re gjermane një orientim kundër interesave shqiptare, apo bëhet fjalë për një botëkuptim më të gjerë lidhur me NATO-n, Rusinë dhe Ballkanin?

    LA: Nuk do ta thosha në mënyrë kaq përgjithësuese. Brenda së djathtës së re evropiane ekziston pa dyshim një skepticizëm i fortë ndaj Kosovës dhe njëfarë simpatie për Serbinë, por edhe për Rusinë, si vatra të supozuara të një tradicionalizmi të ruajtur. Kjo mund të ketë të bëjë edhe me faktorë fetarë.

    Megjithatë, brenda së djathtës ekziston edhe pozicionimi i kundërt dhe, sa i përket AfD-së, këtë mund ta pohoj nga përvoja e drejtpërdrejtë.

    Ajo që nuk duhet të na mashtrojë, pavarësisht të gjitha pozicionimeve dhe qëndrimeve të të tjerëve, janë gabimet tona gjeostrategjike të viteve të fundit.

    Shumë vendime janë ndërmarrë gjatë kësaj dekade në politikën kosovare sikur të ekzistonte një ligj moral dhe universal, sipas të cilit Perëndimi duhet të ndjekë gjithmonë një politikë proshqiptare. Sikur vitet 2000, kur pavarësia e Kosovës konsiderohej gjerësisht si e domosdoshme, do të vazhdonin përgjithmonë.

    Është e vërtetë se në këtë qëndrim themelor nuk ka ndryshuar asgjë thelbësore dhe nuk do të ndryshojë as me pjesëmarrjen e partive të djathta në qeveritë e Berlinit, Vjenës, Parisit apo Romës. Megjithatë, politika kosovare do të bënte mirë të mendonte herë pas here në mënyrë më realpolitike dhe më pak ideologjike.

    AR: E Djathta e Re evropiane vendos në qendër sovranitetin kombëtar dhe të drejtën e popujve për identitet. Si pajtohet ky parim me mohimin e shtetësisë së Kosovës? A keni vërejtur në këto qarqe një standard për sovranitetin e serbëve dhe një tjetër për atë të shqiptarëve?

    LA: Këtu duhet marrë parasysh se shumë pozicionime të politikës së jashtme të partive të djathta kanë lindur nga një qëndrim i shprehur kundërshtues ndaj partive të konsoliduara.

    Duke qenë se parti si CDU-ja, SPD-ja apo edhe të Gjelbrit kanë mbështetur në mënyrë vendimtare pavarësinë, forcat e reja politike, si një refleks, pozicionohen deri diku kundër saj.

    Natyrisht, kjo është vetëm një pjesë e përgjigjes. Pjesa tjetër lidhet me atë që thashë më parë. Dikotomia midis realpolitikës dhe ideologjisë, të cilën e përmenda në përgjigjen e mësipërme, ka edhe këtë forcë shtytëse: strategjia politike e shqiptarëve, dhe kjo vlen si për Shqipërinë, ashtu edhe për Kosovën, është orientuar që nga fillimi i viteve 1990 në mënyrë të qartë drejt rrymës kryesore politike në Evropë dhe partive në pushtet.

    Nëse kjo rrymë kryesore tani gjendet nën sulm dhe është në tërheqje, bashkë me të gjithë parametrat, qëndrimet dhe konceptet e saj të rendit politik, atëherë partnerët e dikurshëm kryesorë rrezikojnë të bëhen të parëndësishëm.

    Shkurtimisht: e gjithë kjo është më pak ideologjike sesa mendojmë ne dhe lidhet më tepër me logjikat e pushtetit, ndaj të cilave edhe shqiptarët duhet të reagojnë jo në mënyrë ideologjike, por po ashtu me përllogaritje të kujdesshme.

    AR: Le ta mbyllim me historinë tuaj personale. Ju jeni një shqiptar që e ka ndërtuar jetën, arsimimin dhe karrierën e tij në hapësirën gjermanofolëse. A besoni se Gjermania që përfytyron E Djathta e Re do t’i ofronte një djali shqiptar që mbërrin sot të njëjtat mundësi që keni pasur ju? Dhe a do të ndiheshit po aq i pranuar në një Gjermani të tillë?

    LA: Loja «çfarë do të kishte ndodhur nëse…» është gjithmonë e ndërlikuar në histori. Gjermania e sotme nuk është më ajo e viteve 1990, por as Shqipëria nuk është më Shqipëria e asaj kohe. Se si do të jenë gjërat pas disa vitesh ose me parti të djathta në pushtet është edhe më e paqartë.

    Megjithatë, shqiptarët kanë arsye të forta për ta përfaqësuar me vetëbesim kombësinë e tyre, por edhe rolin e tyre brenda kombeve të tjera evropiane.

    Atëherë pyetja nuk është më nëse dikush na mundëson apo jo diçka, siç ishte dikur. Ne jemi tashmë plotësisht të aftë, ndoshta më shumë se në asnjë periudhë tjetër të historisë sonë, t’i krijojmë vetes mundësi, si në nivel shtetëror, ashtu edhe në atë individual, pavarësisht nga të tjerët.

    Pas intervistës

    Albani ka përkthyer «Personae», librin ku Pound-i flet përmes maskave. Disa nga përgjigjet e tij i përkasin atij zanati.

    Më e rëndësishmja u tha pa maskë. Tutela e Berlinit ndaj Tiranës është «më se e qartë». «Partneritet» është një fjalë «relativisht boshe». Shqipëria është «krejtësisht pa rëndësi» për politikën gjermane, një «rast mjaft i rehatshëm» që nuk largohet kurrë nga rruga, dhe pikërisht për këtë askush nuk e ka parë të nevojshme ta çojë zgjerimin «përtej deklaratave formale». Këto fjali vijnë nga një botues i Berlinit, i formuar në hapësirën gjermanofolëse, që të djathtën gjermane e njeh nga brenda. Pas tyre vjen këshilla: shqiptarët u lidhën që në fillim të viteve ‘90 me partitë e rrymës kryesore, kjo rrymë po tërhiqet, ndaj duhet të reagojnë «me përllogaritje të kujdesshme».

    Për të bërë llogari duhet njohur ana tjetër, dhe shqiptarët e njohin vetëm me të dëgjuar. Gjithçka na është thënë për të djathtën e re ka ardhur nga kundërshtarët e saj, po ato parti që na mbajtën për dore. Ata na e vizatuan si ork: diçka që urren, me të cilën nuk bisedohet, nga e cila një popull i mirë rri larg. Unë i dërgova katërmbëdhjetë pyetje një njeriu që i përket atij vizatimi. Nuk m’u përgjigj asnjë ork.

    M’u përgjigj një njeri që beson «në identitetet, rrënjët, traditat dhe trashëgiminë» dhe që i ka të huaja «format e një nacionalizmi të tejkaluar», antisemitizmin dhe «fantazitë e izolimit shtetëror». Mund të mos pajtohesh me të. Unë nuk pajtohem në disa vende. Por është e vështirë t’i lexosh këto përgjigje dhe të vazhdosh t’i besosh vizatimit.

    Hiqe vizatimin dhe mbetet diçka që shqiptarët duhet ta njohin. E djathta e re është një revoltë e kombeve evropiane, refleksi i popujve që ndiejnë se kultura dhe identiteti i tyre po shuhen ose po zëvendësohen, dhe të cilëve u është thënë se është turp të shqetësohen për këtë. Ne e njohim atë refleks. Jemi një komb i vogël që e ruajti gjuhën nën pesë shekuj perandori dhe zakonet nën gati gjysmë shekulli të një shteti që deshi të na bënte nga e para. Jemi konservatorë në kuptimin e vjetër të fjalës, të lidhur me familjen, me besën, me shtëpinë, dhe laikë si pak popuj: fenë nuk e kemi lënë kurrë të dalë mbi kombin. Vaso Pasha e shkroi gati një shekull e gjysmë më parë: feja e shqiptarit është shqiptaria. Një popull i tillë ka më shumë të përbashkëta me një Evropë që do të mbetet vetvetja sesa i kanë thënë.

    Zemërimin tonë ndaj tutelës ai e quan «paranoja jonë historike». Unë nuk e kam qetësinë e tij. Një revoltë në emër të kombeve nuk mund ta quajë Serbinë «shtet amë» të Kosovës dhe ta mbajë parimin e vet. Albani thotë se brenda AfD-së e njeh nga afër edhe qëndrimin e kundërt; do të doja ta shihja në një votim. E pyeta edhe nëse ajo Gjermani do t’i jepte një djali shqiptar që mbërrin sot mundësitë që pati ai. U përgjigj se shqiptarët sot i krijojnë vetë mundësitë. Është përgjigje e bukur për një pyetje tjetër. E imja mbetet.

    Albatros Rexhaj Ledio Albani shqiptarët
    Share. Facebook WhatsApp
    Demo
    Postimet e reja

    Të djathtët e mirë dhe shqiptarët e rehatshëm

    November 17, 2026

    Kontrollet në burgun e Fierit, zbulohen doza të dyshuara ha*hashi

    November 17, 2026

    Gjermania akordon 300 milionë dollarë ndihmë për Ukrainën, përparësi mbrojtja ajrore

    November 17, 2026

    Zbulohet një plan për vra*je në Greqi, rrjeti i lidhur me Iranin vepronte përmes Maqedonisë së Veriut

    November 17, 2026
    Mos e humb
    Aktualitet October 16, 2026

    Kaos në aeroportin e Rinasit administruar nga Kastrati! 10 fluturime të anuluara drejt Italisë, pasagjerët pa informacion

    Kaos dhe pakënaqësi në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, i cili administrohet nga Kastrati Group, ku…

    Çfarë pritet? Ilegaliteti “ngrin” prej 10 ditësh në Shqipëri! Mbyllen bastet dhe Call Centerat, bien transaksionet me Kriptomonedha

    Dosja/ Biznesmeni Meqemeja i dha Ahmetajt 140 mijë euro! SPAK: Shpërblim për Inceneratorin e Fierit përmes shitjeve fiktive

    ALERT në Slloveni për VIPA Flips të Kosovës, kanë përmbajtje të alergjenësh. Produkti hiqet nga tregu

    Na ndiq
    • Facebook
    • Instagram
    • YouTube
    • TikTok
    RRETH NESH
    RRETH NESH

    Një shikim i thellë në botën e lajmeve, ku teknologjia dhe profesionalizmi takohen për të sjellë lajmet më të fundit dhe të rëndësishme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Një burim i besueshëm për informacionin e saktë dhe analizat gjithëpërfshirëse.

    NIPT: M47705501A
    Email: radarlajme@gmail.com
    Kontakt: +355689008000

    HOROSKOPI

    Horoskopi 17 nëntor 2026, zbuloni parashikimet e yjeve

    Horoskopi 16 nëntor 2026, zbuloni parashikimet e yjeve

    Tri shenja të horoskopit po hyjnë në një kapitull të ri, pasi kuptuan çfarë duhet të lënë pas

    Aleanca Etike e Medias
    © Radar.al. dizenjuar nga 1001solutions

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.