Ish-nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, ka reaguar lidhur me pasiguritë për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, duke ngritur shqetësime edhe për planet që lidhen me lagjen Ulpiana.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Sahatçiu ka vënë në pah, siç thotë ajo, mospërputhjen mes pasigurisë për mbajtjen e Lojërave Mesdhetare dhe vazhdimit të planeve për ndërhyrje në Ulpianë.


Ajo ka theksuar se, derisa organizimi i këtyre lojërave është vënë në pikëpyetje, diskutimet për prekjen e lagjes po vazhdojnë.

“Në disa orë ndërmjet, alarmohemi se jemi një hap më afër anulimit të Lojërave Mesdhetare 2030 dhe pastaj sigurohemi që prekja e lagjes Ulpiana po bëhet me banorët, për akomodimin e pjesëmarrësve të po atyre lojërave që edhe mund të mos mbahen”, ka shkruar Sahatçiu.

Ajo e ka përmbyllur reagimin e saj me një kritikë ndaj kësaj situate, duke thënë se mbajtja e lojërave është në pikëpyetje, por jo edhe ndërhyrjet e planifikuara në Ulpianë. /Telegrafi/