Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar këtë të martë një takim në Kryeministri me një delegacion të gjerë përfaqësuesish të sipërmarrjes japoneze, ku në fokus ka qenë edhe mundësia e përfshirjes së Japonisë në projektin strategjik të hekurudhës Durrës–Prishtinë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shqiptare ka theksuar se Shqipëria dhe Kosova do ta mirëprisnin pjesëmarrjen japoneze në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm infrastrukturor.
“Shqipëria dhe Kosova do ta mirëprisnin përfshirjen e Japonisë në projektin strategjik të hekurudhës Durrës–Prishtinë”, shkruan Rama.
Hekurudha Durrës–Prishtinë konsiderohet një projekt me rëndësi strategjike për lidhjen infrastrukturore dhe ekonomike mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke synuar lehtësimin e transportit të udhëtarëve dhe mallrave, si dhe forcimin e shkëmbimeve tregtare.
Për këtë projekt është përfunduar studimi i fizibilitetit dhe projekti paraprak, ndërsa sigurimi i financimit mbetet një nga hapat kryesorë drejt realizimit të tij.