Vetë ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi reagoi pas dënimit të tij të dytë nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

“Kjo është politikë, jo drejtësi”, tha Thaçi brenda sallës së gjyqit pasi iu shqiptua dënimi prej 17 muajsh burgim për pengim të drejtësisë.

Këtë vendim dënues, e kundërshtoi edhe djali, Endriti që ka ndarë një fotografi të babait e që mbanë mbishkrimin “Një padrejtësi nuk ndreqet nga një padrejtësi tjetër”, shprehje e thënë nga vetë Thaçi në vitin 2023.

Ndërkohë në Prishtinë, para zyrës së Bashkimit Evropian, në pakënaqësi me vendimin e fundit të Dhomave të Specializuara u mbajt aksioni simbolik e u shtrua pyetja “Evropë, ku është drejtësia?”.

Dënimi i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit me 17 muaj burgim për pengim të drejtësisë është i papranueshëm për qytetarët, të cilët thanë se drejtësia ndërkombëtare po mban standarde të dyfishta.

“Hashim Thaçin e kanë dënuar me 12 vjet më shumë, një njeri që luftoi për çlirimin e një populli dhe lirinë e tij dhe ndaljen e gjenocidit të sojit të Sheshelit dënohet 12 vite më shumë se Shesheli. Pra viktima dënohet e agresori amnistohet”, tha aktivisti Çlirim Haziri.

Si i padrejtë është parë vendimi i dytë dënues i Gjykatës Speciale ndaj Thaçit edhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Është i papranueshëm për në, siç ka qenë i gjithë procesi i papranueshëm për Organizatat e dala nga lufta“, u shpreh Xhavit Jashari-OVL-UÇK.

Për Partinë Demokratike të Kosovës është i papranueshëm vendimi i së martës i nxjerrë nga Dhomat e Specializuara ndaj Hashim Thaçit. Ish-kryetari i partisë, Bedri Hamza shkroi se “Hashim Thaçit mund t’ia mohojnë lirinë. Mund edhe ta dënojnë. Por kurrë nuk do të mund t’ia marrin vendin si kryeprotagonist i historisë së Kosovës”.

Sekretarja e përgjithshme e PDK-së tha se “padrejtësisë do t’i përgjigjen me qëndresë, mobilizim dhe përkushtim të palëkundur shtetëror e mbarëkombëtar”

Zyra e Prokurorit të Specializuar në anën tjetër e ka mirëpritur vendimin dënues ndaj Thaçit, derisa ka premtuar hetime të tjera për pengim të drejtësisë.

Për pengim të drejtësisë, mosbindje ndaj gjykatës dhe zbulim të fshehtësisë së procedurës, Gjykata Speciale dënoi me 17 muaj burgim Hashim Thaçin, dënim ky që do të kryhet veçmas nga dënimi për krime lufte. Edhe pse u dënuan, për shkak të kohës së kaluar në paraburgim, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u liruan, Hajredin Kuçi u dënua me kusht e Isni Kilaj u shpall i pafajshëm.

Top Channel