Ndryshimi i financimit të medias publike në Çeki /Protesta kundër planit të qeverisë, dyshime për kërcënim të lirisë së shtypit

Europë | 5 minuta më parë

Në kryeqytetin çek, Pragë, qindra mijëra njerëz protestuan kundër qeverisë së kryeministrit Andrej Babis dhe planeve të tij për të reformuar sistemin e transmetuesit publik. Sipas organizatorëve, në tubim morën pjesë deri në 450 mijë persona, çka e ka bërë atë demonstratën më të madhe në historinë e vendit që prej shpalljes së pavarësisë në vitin 1993.

Qeveria çeke synon të shkurtojë fondet për transmetuesin publik dhe për më tepër, qëllimi i saj është të heqë tarifën e posaçme që qytetarët paguajnë për televizionin dhe radion publike, e cila aktualisht është rreth 9.44 dollarë në muaj, duke e zëvendësuar atë me financim të drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit.

Sipas propozimit, dy transmetuesit publikë do të marrin rreth 15 për qind më pak fonde sesa aktualisht. Kundërshtarët paralajmërojnë se kjo skemë do t’i bëjë institucionet mediatike më të varura nga qeveria dhe do të rrezikojë pavarësinë e tyre editoriale. “Duhet ta mbajmë median të pavarur. Qeveria po ndërmerr hapa për ta vënë në kontroll, për t’i shkurtuar financimin dhe për të ndikuar në transmetimet e saj”- tha një prej punonjësve të medias publike çeke.

“Qeveria ka kritikuar gjerësisht dhe agresivisht mediat publike, ndonjëherë shkon deri aty sa thotë se ata janë armiq të shtetit” – u shpreh zv.kryeredaktori Martin Řezníček i cili mori pjesë për herë të parë në një tubim të tillë. “Bëhet fjalë për të ardhmen e vendit dhe për të ardhmen e fëmijëve të mi.”- shtoi ai.

Vetë kryeministri Babiš i ka hedhur poshtë akuzat, duke deklaruar se askush nuk synon të kontrollojë apo shtetëzojë median publike, ndërsa sipas tij pretendimet e protestuesve nuk qëndrojnë. Organizatorët paraqitën gjithashtu një peticion ku veç kërkesës për tërheqjen  projektligjit për financimin e mediave, i cili u miratua në parim muajin e kaluar, kërkojnë edhe shkarkimin e kryetarit të parlamentit, të cilin e akuzojnë se përmes partisë së tij SPD po rrezikon sigurinë kombëtare me qëndrimet proruse.

Nisma ka shkaktuar protesta të mëdha që prej prezantimit të saj në prill nga ministri i Kulturës, Oto Klempir. Më 3 nëntor, punonjësit e televizionit dhe radios publike zhvilluan një grevë njëditore, ndërsa reforma është kritikuar edhe nga organizata ndërkombëtare të medias dhe gazetarëve, të cilët kanë paralajmëruar për rrezikun e kufizimit të pavarësisë së medias publike, duke e krahasuar nismën e qeverisë çeke me politikat e ndjekura në Sllovaki dhe Hungari ndaj transmetuesve publikë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme