Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca kanë shkelur një nen të statutit të Partisë Socialiste që solli përjashtimin e tyre, thotë deputetja Besa Spaho.
Pa u zgjatur, ajo tha për “Studio Live” në Report Tv se për Ndrecën është kërkuar shkarkim nga organet e zgjedhura partiake.
“Ajo çfarë u diskutua në Asamble ka të bëjë me faktin që Asambleja ka statutin e vet. Është shkelur një nen i këtij statuti, neni 22, pika d, ku për z. Ndreca u kërkua shkarkimi nga organet e zgjedhura partiake”, tha Spaho.
E pyetur për mesazhin e Erion Veliajt për Asamblenë pak para nisjes së saj, deputetja socialiste thotë se ajo nuk e mori, por nuk pati as diskutim në mbledhje.
“Nuk e kam marrë mesazhin, por pjesa më e madhe e kolegëve e kishin marrë mesazhin para fillimit të Asamblesë. Nuk pati diskutim lidhur me këtë mesazh të Veliajt”, tha Spaho.
Ajo u shpreh se nuk dëshiron të komentojë mbi deklaratat e Pandeli Majkos apo ndonjë tjetri, por është kundër tyre.
“Jam kundër deklaratave të bëra në Asamble edhe në kushtet kur PS për shkak të situatave të fundit, ndodhemi në një situatë ku ka nevojë për reflektim”, tha deputetja.
Në tërësi, ajo e përshkruan Asamblenë si një mbledhje plot energji që u fokusua te zgjedhjet lokale të 2027-ës.
“Asambleja e PS ishte një ndër më të bukurat të organizuara. U ndie energjia e madhe e të gjithë socialistëve dhe ishin të gjithë të bashkuar dhe gati për të nisur betejën e ardhshme të zgjedhjeve lokale”, përfundoi Spaho.










Komente
Komento