Boksieri irlandez Lee Reeves ka ndërruar jetë në moshën 31-vjeçare, rreth tre muaj pasi pësoi dëmtime të rënda në një ndeshje boksi në Dublin. Ai nuk arriti të rikuperohej pas komplikacioneve shëndetësore që pasuan përballjen e zhvilluar në gusht.
Lajmi u konfirmua të martën nga promotori i tij, Queensberry. Reeves u dëmtua rëndë gjatë ndeshjes në kategorinë e peshave të lehta welter, ku u mposht me nokaut nga bashkëkombësi i tij, Gary Calley.
Pas përfundimit të përballjes, 31-vjeçari iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe u vendos në koma të induktuar, ku qëndroi për rreth tre muaj.
Sipas mediave lokale në Limerick, qyteti i tij i lindjes, gjendja e boksierit u përkeqësua gjatë fundjavës, pasi u prek nga një infeksion. Ai ndërroi jetë të hënën, si pasojë e komplikacioneve shëndetësore.
Promotori Queensberry shprehu dhimbjen për humbjen e parakohshme, duke e përshkruar Reeves si një sportist me talent të jashtëzakonshëm dhe një frymëzim për komunitetin e tij.
Mesazhe ngushëllimi erdhën edhe nga kundërshtari i tij në ndeshjen e fundit, Gary Calley, i cili reagoi përmes rrjeteve sociale.
“Nuk ka pasur kurrë gjë tjetër veçse dashuri mes nesh, kampion. Nuk mund ta besoj që po e shkruaj këtë. U prehsh në paqe, vëlla”, shkroi ai.
Lee Reeves zhvilloi 18 ndeshje në karrierën profesioniste, duke regjistruar 16 fitore, 11 prej të cilave me nokaut. Karriera e tij u ndërpre tragjikisht në moshën 31-vjeçare.

