Hitaj homazhe për Ermal Lulajn: Fëmijët e tij nuk do të jenë vetëm!


Kreu i Përgjithshëm i Policisë së shtetit, Skënder Hitaj ka marrë pjesë ditën e sotme në homazhet e zhvilluar për shefin e Krimeve të Rënda, Ermal Lulaj.
Në një prononcim të shkurtër për mediat, teksa shprehu ngushëllimet për ndarjen e Lulajt nga jeta, Hitaj theksoi se fëmijët e tij do të kenë mbështetjen e Policisë së Shtetit në çdo rast.
“Ditë shumë e dhimbshme për ne, për familjen dhe për ata të cilët e kanë njohur. Unë e kam njohur që në fillimet e karrierës së tij. Ndjej një keqardhje të madhe për mënyrën se si u largua kaq shpejt. U largua babai i tre fëmijëve, bir i një familje shumë të mirë një koleg shumë i mirë. Fëmijët e tij nuk do të jenë vetëm, për çfarëdo kujdes që do të kenë familja e madhe e Policisë së Shtetit gjithmonë do tu gjendet”, ka thënë ai.
Trupi i pajetë i Ermal Lulajt, shefit të Krimeve të Vlorës, ka mbërritur në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, një ditë pas aksidentit tragjik që i mori jetën në autostradën Fier-Vlorë. Efektivi humbi jetën mbrëmjen e djeshme, pasi automjeti tip “Toyota” me të cilin udhëtonte u përplas me një skrep në lëvizje, në afërsi të Novoselës.


360grade.al



















