Hodhen vezë ndaj eskortës së Ramës në Maminas
Gjykata e Durrësit ka urdhëruar lirimin e Albi Demës dhe Edison Likajt, të arrestuar pas incidentit me eskortën e kryeministrit Edi Rama në Maminas. Gjykata e cilësoi të paligjshëm arrestimin e tyre në flagrancë dhe rrëzoi kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masave të sigurisë.
Albi Dema, 37 vjeç, dhe Edison Likaj, 28 vjeç, janë liruar pas vendimit të Gjykatës së Durrësit, e cila shqyrtoi ligjshmërinë e arrestimit të tyre dhe kërkesën e Prokurorisë për masa sigurie.
Dy aktivistët e grupit të njohur si “Flamingot” u arrestuan pas protestës së zhvilluar të shtunën në Maminas, ku një grup qytetarësh i doli përpara eskortës së kryeministrit Edi Rama dhe hodhi vezë e sende të forta në drejtim të saj.
Në momentin e incidentit, kreu i qeverisë po udhëtonte drejt Gjirit të Lalzit, ku do të merrte pjesë në Asamblenë e Partisë Socialiste.
Pas ngjarjes, policia arrestoi Demën dhe Likajn, të cilët u proceduan për veprën penale të goditjes për shkak të detyrës.
Gjatë seancës gjyqësore, gjykata vlerësoi se arrestimi në flagrancë i dy protestuesve ishte i paligjshëm dhe nuk pranoi kërkesën e organit të akuzës për vendosjen e masave të sigurisë ndaj tyre.
Ndërkohë, familjarë dhe të afërm të Demës dhe Likajt u mblodhën pranë Gjykatës së Durrësit, ku pritën përfundimin e seancës dhe shpalljen e vendimit.






