Miliona gaforre të kuqe nisin migrimin e tyre vjetor në Ishullin e Krishtlindjeve
Sezoni i migrimit të gaforreve ka nisur në Ishullin e Krishtlindjeve të Australisë, ku miliona gaforre të vogla të kuqe kanë filluar udhëtimin e tyre të përvitshëm drejt bregdetit.
Për t’u dhënë mundësi njerëzve ta ndjekin këtë fenomen natyror, Parku Kombëtar i Ishullit të Krishtlindjeve po transmeton çdo ditë pamje të drejtpërdrejta nga ura e posaçme e gaforreve.
Struktura, rreth 4.9 metra e lartë, është ndërtuar për t’i ndihmuar gaforret të kalojnë në mënyrë të sigurt një rrugë të frekuentuar gjatë rrugëtimit të tyre drejt detit.
Migrimi vjetor zakonisht fillon me reshjet e para të sezonit të lagësht, të cilat në këtë ishull shfaqen gjatë muajve tetor ose nëntor. Megjithatë, në disa raste, shirat kanë ardhur edhe në dhjetor apo janar, duke ndikuar në kohën e nisjes së migrimit.
Gaforret largohen nga pyjet tropikale ku jetojnë dhe drejtohen drejt bregdetit për t’u çiftëzuar dhe për të lëshuar vezët.
- YouTube www.youtube.com
Sipas shpjegimit në faqen zyrtare të parkut, koha dhe shpejtësia e migrimit përcaktohen nga fazat e Hënës, transmeton Telegrafi.
“Gaforret e kuqe gjithmonë lëshojnë vezët para agimit, gjatë zbaticës pas baticës së lartë, në çerekun e fundit të Hënës. Në mënyrë të pabesueshme, ato e dinë saktësisht se kur duhet të dalin nga strofkat e tyre për të mbërritur në kohën e duhur”, thuhet në njoftimin e parkut.
Për të mbrojtur gaforret gjatë këtij udhëtimi masiv, disa rrugë në ishull mbyllen përkohësisht për qarkullimin e automjeteve. Megjithatë, kjo nuk i pengon turistët të vizitojnë ishullin çdo vit për të vëzhguar fenomenin.
Ndër vendet publike ku mund të ndiqet migrimi dhe procesi i lëshimit të vezëve janë Drumsite, Flying Fish Cove, Ethel Beach dhe Greta Beach.
Parks Australia po transmeton pamje nga ura e gaforreve për një orë çdo ditë, ndërsa transmetimet do të vazhdojnë gjatë gjithë periudhës së migrimit. /Telegrafi/





























