Momente tensioni janë regjistruar në protestën studentore përpara Kryeministrisë, ku qytetarët janë mbledhur në kuadër të protestës së 171-të kombëtare.
Situata është tensionuar pas ndërhyrjes së forcave të policisë, të cilat kanë penguar protestuesit të zhvillojnë tubimin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Sipas raportimeve nga vendngjarja, efektivët kanë shtyrë disa prej pjesëmarrësve, duke shkaktuar përplasje dhe reagime të forta.
Tensionet janë përshkallëzuar më tej gjatë përpjekjes për të shoqëruar disa gra, ndërsa protestuesit kanë ndërhyrë për të kundërshtuar veprimet e policisë. Mes thirrjeve “Poshtë diktatura”, qytetarët kanë kërkuar ndalimin e shoqërimeve.
Për shkak të kundërshtimit të protestuesve, shoqërimi i grave në fjalë nuk është realizuar. Ndërkohë, sipas pretendimeve të pjesëmarrësve, disa vajza me shami janë shoqëruar në komisariat.
