Goditje për Kosovën, Amedspori zbulon gjendjen e Dellovës dhe Krasniqit pas lëndimeve
Dy futbollistët e Kombëtares së Kosovës, Lumbardh Dellova dhe Ermal Krasniqi, po përballen me probleme fizike, ndërsa klubi i tyre, Amedspor, ka dhënë informacione të reja për gjendjen shëndetësore të tyre.
Sipas raportit mjekësor të publikuar nga klubi turk, mbrojtësi Lumbardh Dellova pritet të qëndrojë jashtë fushave të blerta për rreth një muaj.
Dellova kishte pësuar lëndim gjatë përballjes ndaj Galatasarayt. Pavarësisht problemeve fizike, ai fillimisht iu bashkua grumbullimit të Kombëtares së Kosovës, por më pas u lirua për shkak të lëndimit.
Situatë e ngjashme është edhe me Ermal Krasniqin, i cili gjithashtu ishte grumbulluar me Dardanët, por u detyrua të largohej për shkak të problemeve fizike.
Sipas mediave të afërta me klubin turk, kohëzgjatja e rikuperimit të Krasniqit ende nuk është përcaktuar.
Futbollisti kosovar pritet t’u nënshtrohet ekzaminimeve më të hollësishme nga stafi mjekësor i Amedsporit, pas të cilave do të bëhet e ditur se sa kohë do të mungojë.
Lëndimet e dy futbollistëve përbëjnë një shqetësim edhe për përzgjedhësin e Kosovës, Franco Foda, i cili nuk ka mundur të llogarisë në shërbimet e tyre gjatë grumbullimit të nëntorit.
Mbetet të shihet se si do të ecë procesi i rikuperimit të Dellovës dhe Krasniqit dhe kur të dy do të jenë sërish të gatshëm për t’u rikthyer në fushë.















