Erjon Vishkulli, 28-vjeçari nga Elbasani që mbeti i plagosur në sy gjatë protestës, është rikthyer në Shqipëri pas tre javësh trajtim mjekësor në Itali.
I riu iu nënshtrua dy ndërhyrjeve kirurgjikale në klinikën e specializuar “Gemelli” në Romë, ndërsa pritet t’i nënshtrohet edhe një ndërhyrjeje tjetër.
Pas mbërritjes në Tiranë, Vishkulli është pritur nga miq dhe shokë të tij.
28-vjeçari u plagos në syrin e majtë, pasi u godit nga një objekt që dyshohet se ishte plumb gome, gjatë përplasjes me policinë. Pas ngjarjes, ai u transportua me urgjencë në Spitalin e Traumës.
Për shkak të dëmtimit të rëndë dhe nevojës për trajtim të specializuar, Vishkulli u dërgua më pas në Itali. Më 25 tetor, ai njoftoi se kishte mbërritur në Romë, ku pritej t’i nënshtrohej një tjetër ndërhyrjeje, duke shpresuar se do të arrinte të shpëtonte shikimin.