A mund të na përgjojnë përmes telefonit dhe laptopit? Drenusha tregon sa real është rreziku
A mund të përdoret telefoni apo laptopi ynë për të na përgjuar pa e kuptuar? Kjo ishte një nga temat e diskutuara në episodin e dhjetë të podcastit “Rrugëtimi”, ku mysafire ishte Drenusha Salihu, CEO e Women for Cyber.
E pyetur nëse ekziston rreziku real që dikush të na përgjojë përmes kamerës së laptopit apo telefonit, Salihu tha se një mundësi e tillë ekziston.
“Po, ekziston rreziku real”, tha ajo gjatë podcastit.
Sipas saj, përveç metodave tradicionale, sot ekzistojnë teknika më të avancuara që mund të funksionojnë brenda kompjuterit apo telefonit.
“Ekzistojnë teknika të avancuara të cilat mund të jenë brenda kompjuterit dhe telefonit tonë dhe mund të na përgjojnë vazhdimisht”, tha Salihu.
Ajo shpjegoi se një person nuk duhet domosdoshmërisht të jetë objektiv i drejtpërdrejtë i një sulmi që të dhënat e tij të mblidhen.
Sipas saj, të dhënat e mbledhura mund të përpunohen apo të përfundojnë edhe te palë të treta.
Salihu foli edhe për mënyrat se si përdoruesit mund të vërejnë sjellje të pazakonta në pajisjet e tyre.

Një nga treguesit tradicionalë ka qenë ndezja e dritës së kamerës, por ajo theksoi se sot ekzistojnë teknika që mund ta çaktivizojnë edhe këtë sinjal.
“Një nga metodat më të vjetra ka qenë nëse drita e kamerës qëndron ndezur, mirëpo tash ka edhe metoda tjera më të avancuara që përmes skripteve të ndryshme munden me e zbeh komplet dritën”, shpjegoi ajo.
Një tjetër tregues mund të jetë ngadalësimi i kompjuterit, ndërsa përdoruesit mund të kontrollojnë edhe se cilat aplikacione kanë qasje në kamerë.
Salihu tërhoqi vëmendjen veçanërisht te shkarkimi i aplikacioneve dhe programeve nga burime jozyrtare.
Sipas saj, rreziku mund të rritet kur merret një program nga palë të treta ose kur një aplikacion që zakonisht ofrohet me pagesë shkarkohet falas nga burime të pasigurta.
“Në momentin që ti merr një aplikacion apo një softuer nga një palë e tretë që nuk duket që është mjaft e sigurt, ose nëse është aplikacion që normal ofrohet me pagesë, ndërsa ti e merr falas, atëherë nuk mundesh me garantu se çka vjen bashkë”, tha ajo.
Diskutimin e plotë për sigurinë e pajisjeve, hakimet dhe mënyrat e mbrojtjes mund ta ndiqni më poshtë. /Telegrafi/
- YouTube www.youtube.com





























