Projektligji i ri për fondet alternative të investimit parashikon rregulla më të forta për administrimin e tyre, mbrojtjen e investitorëve dhe mbikëqyrjen e rreziqeve financiare. Nisma synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian dhe vendos një kuadër të posaçëm për licencimin, organizimin dhe kontrollin e këtij tregu.
Projektligji “Për administruesit e fondeve të investimeve alternative dhe fondet e investimeve alternative” është hedhur për konsultim publik dhe parashikon zbatimin e standardeve europiane AIFMD, përfshirë ndryshimet e vitit 2024. Rregullat e reja përcaktojnë kërkesa më të qarta për kapitalin e administruesve, administrimin e rrezikut, likuiditetin, transparencën dhe raportimin financiar.
Një nga risitë kryesore është ndarja e administruesve sipas madhësisë së aktiveve që kanë nën administrim. Për subjektet që plotësojnë kushtet e përcaktuara, parashikohet një regjim i thjeshtuar regjistrimi për fondet me deri në 100 milionë euro aktive. Pragu mund të arrijë në 500 milionë euro për fondet që nuk përdorin levë financiare dhe nuk lejojnë tërheqjen e investimeve për të paktën pesë vjet.
Megjithatë, administruesit e fondeve që u drejtohen investitorëve joprofesionistë do të duhet të pajisen me licencë të plotë, pavarësisht madhësisë së portofolit.
Për këtë kategori parashikohen edhe masa shtesë për mbrojtjen e kursimeve, përfshirë kufizime mbi investimet dhe huamarrjen, pavarësi të depozitarit, transparencë të kostove dhe detyrim për t’u dhënë investitorëve informacion të plotë mbi fondin. Një prej kufizimeve të përcaktuara është që kostoja totale vjetore e administrimit të mos kalojë 3.5% të vlerës neto të aktiveve.
Projektligji zgjeron gjithashtu kompetencat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), i cili do të jetë përgjegjës për licencimin, regjistrimin dhe kontrollin e veprimtarisë së administruesve dhe fondeve. Për aktivitetin e huadhënies nga fondet alternative parashikohet bashkëpunim i posaçëm me Bankën e Shqipërisë, veçanërisht për vlerësimin e rrezikut të kredisë dhe respektimin e kufijve të ekspozimit.
Për fondet që japin hua, projektligji vendos kufizime mbi përdorimin e levës financiare. Ajo nuk duhet të kalojë 175% të vlerës neto të aktiveve për fondet me pjesëmarrje të hapur dhe 300% për fondet me pjesëmarrje të mbyllur. Gjithashtu, fondet do të duhet të mbajnë të paktën 5% të vlerës nominale të huave të iniciuara dhe të transferuara, në përputhje me kushtet e përcaktuara në projektligj.
Në kuadër të rritjes së transparencës, shoqëritë administruese do të kenë detyrimin të publikojnë raporte vjetore dhe të informojnë investitorët për strategjinë e fondit, rreziqet, kostot, likuiditetin dhe përbërjen e portofolit. AMF-së i jepen gjithashtu mekanizma ndërhyrjeje në rastet kur veprimtaria e administruesit ose siguria e aktiveve të fondit vihet në rrezik.
Rregullimi i ri do të prekë edhe fondet që ushtrojnë aktualisht aktivitet në treg. Projektligji parashikon riklasifikimin e tyre sipas regjimit të ri, duke garantuar vazhdimësinë e veprimtarisë dhe ruajtjen e të drejtave të investitorëve. Ky proces duhet të përfundojë brenda 18 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.
Nisma është hartuar nga AMF-ja, me asistencën e GIZ, në kuadër të projektit “SANECA II”, dhe lidhet me angazhimet e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, veçanërisht me Kapitullin 9 “Shërbimet financiare”.
Projektligji parashikohet të hyjë në fuqi më 1 janar 2028. Ndërkohë, rregulloret zbatuese dhe periudha e përshtatjes synojnë t’u japin subjekteve të tregut kohën e nevojshme për të përmbushur kërkesat e reja.

