Gjermania do t’i ofrojë Ukrainës edhe 300 milionë dollarë ndihmë ushtarake, me fokus te mbrojtja ajrore. Kjo vjen në një kohë kur Rusia po shton sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të vendit në prag të dimrit. Paketën e ka bërë të ditur ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, të martën, përpara takimit të ministrave të Mbrojtjes të Bashkimit Evropian në Bruksel.
Kjo është ndihma ushtarake për Ukrainën që Gjermania njoftoi më së fundi, raporton Reuters, transmeton REL-i. Sipas Pistorius, Rusia po i shton sulmet ajrore sepse nuk po arrin përparim në fushën e betejës. Vendet që mbështesin Ukrainën duhet të vazhdojnë t’i ofrojnë asaj ndihmë efektive dhe të shpejtë në mbrojtjen ajrore.
Për ministrin gjerman, mbështetja për Ukrainën nuk është çështje bamirësie, por një çështje e sigurisë evropiane dhe e ndalimit të presidentit rus, Vladimir Putin. Gjermania po kontribuon në paketën e fundit të ndihmës në kuadër të nismës së quajtur PURL, Lista e Nevojave të Prioritizuara të Ukrainës.
Përmes kësaj nisme, vendet aleate blejnë armë amerikane për Ukrainën. Në këtë nismë, Gjermania po bashkëpunon me Norvegjinë. Paketa përfshin raketa të drejtuara për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot, si dhe sisteme IRIS-T dhe raketa për to, të cilat Gjermania i kishte njoftuar më herët.
Pistorius ka thënë se Gjermania po përgatitet të integrojë raketat IRIS-T në sistemet norvegjeze të mbrojtjes ajrore NASAMS, Sistemet Kombëtare të Avancuara të Raketave Tokë-Ajër.
