Një pilot ushtarak serb ka humbur jetën pasi avioni luftarak me të cilin po fluturonte u rrëzua në një zonë fushore në veriperëndim të Beogradit. Viktima është identifikuar si Goran Bulajic, 53 vjeç, ndërsa lajmi është konfirmuar nga Ministria e Mbrojtjes së Serbisë.

Aksidenti ndodhi pranë Stara Pazovës, rreth 31 kilometra larg kryeqytetit. Sipas autoriteteve, avioni ishte në pronësi të Brigadës së 204-t të Aviacionit, me bazë në Batajnicë.

Shkaqet dhe rrethanat e rrëzimit mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet serbe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2006, ushtria serbe ka regjistruar 14 aksidente ajrore, ku kanë humbur jetën gjithsej 17 persona. Në këto incidente janë përfshirë 12 avionë dhe dy helikopterë.

Aktualisht, Forcat Ajrore Serbe disponojnë 14 avionë luftarakë MiG-29, të prodhuar në periudhën 1987–1991. Serbia ka planifikuar rinovimin e flotës përmes blerjes së 12 avionëve francezë Dassault Rafale F4, për të cilët në vitin 2024 u paguan 2.7 miliardë euro. Dorëzimi i tyre pritet të nisë në vitin 2028.