Alarm në kufirin me Hungarinë, dronët rusë godasin Ukrainën perëndimore
Sulmet me dronë rusë kanë përfshirë edhe Ukrainën perëndimore, pranë kufirit me Hungarinë, duke shkaktuar shqetësim për sigurinë dhe ndërprerjen e përkohshme të lidhjeve hekurudhore mes dy vendeve.
Një dron rus i tipit “Shahed” është përplasur mbi disa automjete të parkuara në qytetin Rivne, në Ukrainën perëndimore. Sipas raportimeve, koka shpërthyese e dronit nuk ka shpërthyer. Deri tani nuk ka të dhëna për persona të lënduar, ndërsa nuk është bërë e ditur shkalla e dëmeve materiale.
Ndërkohë, një tjetër dron rus ka goditur një zonë rreth 300 metra larg stacionit hekurudhor të qytetit Mukachevo, në rajonin e Zakarpatisë, pranë kufirit me Hungarinë.
Në momentin e sulmit, në stacion ndodhej një tren që kishte mbërritur nga Hungaria. Për arsye sigurie, ekuipazhit hungarez iu kërkua të largohej nga treni.
Pas incidentit, kryeministri hungarez Peter Magyar njoftoi pezullimin e qarkullimit hekurudhor mes Hungarisë dhe Ukrainës për datat 17 dhe 18 nëntor.
Autoritetet ukrainase kanë bërë të ditur se sulmet ruse në rajonin e Zakarpatisë përfshinë disa valë dronësh. Sipas informacioneve paraprake, nuk janë raportuar viktima nga goditja pranë Mukachevos.
Ndërkohë, sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në disa rajone të vendit.
Moldova ngre alarmin: Dron rus fluturon mbi Kishinau
Zhvillime shqetësuese janë raportuar edhe në Moldavi. Presidentja Maia Sandu deklaroi se disa dronë rusë kanë shkelur hapësirën ajrore të vendit dhe se një prej tyre ka fluturuar mbi kryeqytetin Kishinau, duke shkaktuar shqetësim te banorët.
Pas incidenteve, autoritetet moldave vendosën përkohësisht kufizime në hapësirën ajrore të vendit, për arsye sigurie.
Sandu deklaroi se Rusia po rrezikon sigurinë e gjithë rajonit dhe se Moldavia do të vijojë të kërkojë sanksione ndaj Moskës, të mbështesë Ukrainën dhe të forcojë kapacitetet e saj mbrojtëse.
“Rusia nuk respekton as neutralitetin, as sovranitetin dhe as jetën njerëzore”, ishte mesazhi i presidentes moldave pas incidenteve.




