Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, zhvilloi një vizitë në Shulbater, në Klos të Dibrës, ku u takua nga afër me familjet përfituese të Programit të Rijetëzimit të Kullave të Veriut dhe ndoqi ecurinë e procesit të pajisjes së tyre me dokumentacion pronësie.
“Qëllimi ynë është i thjeshtë: t’u japim familjeve dokumentet e pronësisë për kullat e tyre, duke u krijuar mundësi t’i restaurojnë, të investojnë dhe t’u japin një jetë të re. Dhe rezultatet e para janë shumë inkurajuese. Në vetëm shtatë muaj kemi nisur punën për 697 kulla në katër qarqe të veriut: Shkodër, Lezhë, Dibër dhe Kukës. Prej tyre, 326 janë pajisur tashmë me tituj pronësie, ndërsa për të tjerat puna vazhdon. Këto kulla nuk janë thjesht ndërtesa të vjetra. Ato janë pjesë e historisë, traditës dhe identitetit tonë. Dhe ne, si Kadastër, po japim kontributin tonë që kjo trashëgimi të ruhet dhe të marrë jetë përsëri”, tha Goxhobelli në takimin me banorët e fshatit.
Programi për Rijetëzimin e Kullave të Veriut realizohet me ndihëm e GIZ dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit. Përmes këtij programi, Kadastra po kontribuon që ato të mos mbeten vetëm dëshmi të së kaluarës, por të kthehen në pasuri të gjalla, që mund t’u shërbejnë familjeve dhe zhvillimit të turizmit në zonat ku ndodhen.
Pajisja me dokumentacion pronësie përbën një hap thelbësor jo vetëm për zgjidhjen e problematikave të pronësisë, por edhe për ruajtjen dhe rijetëzimin e një prej elementeve më përfaqësuese të trashëgimisë kulturore të veriut.










