Nga tramvaji që Lulzim Basha premtonte se do të përshkonte Tiranën në vetëm 24 minuta, te trenat modernë që Edi Rama ka premtuar prej vitesh se do të lidhin kryeqytetin me Durrësin dhe aeroportin e Rinasit, transporti hekurudhor në Shqipëri ka qenë një histori e gjatë projektesh, prezantimesh dhe afatesh të shtyra. Ndërsa qytetarët vazhdojnë të presin rikthimin e trenave në kryeqytet, kryeministri ka hedhur sytë drejt Japonisë, këtë herë për një projekt edhe më ambicioz: ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë.
Gjatë një takimi me sipërmarrës japonezë këtë të martë, Rama u ka kërkuar atyre të shqyrtojnë mundësinë e përfshirjes në projektin hekurudhor që synon të lidhë Shqipërinë me Kosovën dhe më tej me Evropën Qendrore. Kryeministri e ka paraqitur projektin si një investim me rëndësi të veçantë ekonomike dhe strategjike, duke përfshirë në argumentimin e tij edhe NATO-n dhe portin e ri të Durrësit.
“Së bashku me Kryeministrin e Kosovës kemi biseduar më shumë se një herë se sa mirë do të ishte ta përfshinim Japoninë në projektin e hekurudhës së re nga Durrësi në Prishtinë, e cila më pas kalon nëpër Nish dhe lidhet me Europën Qendrore.
Kjo hekurudhë ka gjithashtu rëndësi shumë, shumë të madhe për NATO-n për shkak të Portit të ri në Durrës, i cili do të ketë edhe një degë të dedikuar 100% për veprimtaritë ushtarake dhe ato të NATO-s”, deklaroi Rama.












