Diabeti i tipit 2, që dikur lidhej kryesisht me moshat e rritura, po shfaqet gjithnjë e më shumë edhe te fëmijët dhe të rinjtë.

Endokrinologia, Ariana Shaqiri, në episodin e 96-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital dhe Qendra Laserike e Syrit "Kubati" ka shpjeguar se ndryshimi i stilit të jetesës, mungesa e aktivitetit fizik dhe konsumimi i ushqimeve të përpunuara janë ndër faktorët që po ndikojnë në rritjen e rrezikut për këtë sëmundje.


Sipas saj, mënyra se si fëmijët e kalojnë kohën sot ka ndryshuar ndjeshëm krahasuar me gjeneratat e mëparshme, kur aktivitetet në natyrë dhe lojërat fizike ishin pjesë e përditshmërisë.

“Tash teknologjia i ka zëvendësuar këto lojëra. I kemi fëmijët shumë më shumë të lidhur për ekrane”, u shpreh Shaqiri.

Ajo theksoi se, krahas qëndrimit të gjatë para ekraneve dhe mungesës së lëvizjes, shqetësim mbetet edhe mënyra e ushqyerjes së fëmijëve.

Sipas endokrinologes, ushqimet e gatshme dhe ato shumë të përpunuara janë bërë gjithnjë e më të pranishme në përditshmërinë e tyre, ndërsa përbërja e këtyre produkteve i bën veçanërisht tërheqëse për moshat e reja.

“Sheqernat, kripërat dhe yndyrnat, në atë ekuilibër, i bëjnë fëmijët që t'i duan këto produkte”, shpjegoi ajo.

Shaqiri veçoi mbipeshën dhe obezitetin, sidomos grumbullimin e yndyrës në zonën e barkut, si tregues të rëndësishëm të rrezikut për çrregullime metabolike.

Ajo paralajmëroi se këto ndryshime mund të ndikojnë në shfaqjen e diabetit të tipit 2 në mosha gjithnjë e më të hershme.

“Shihet që tash kemi diabetin e tipit 2 edhe te moshat e reja”, deklaroi endokrinologia, duke shpjeguar se ndarja e dikurshme, sipas së cilës diabeti i tipit 1 lidhej kryesisht me të rinjtë dhe ai i tipit 2 me të rriturit, nuk është më aq e qartë.

Një tjetër shqetësim, sipas saj, është se diabeti i tipit 2, kur shfaqet në fëmijëri ose adoleshencë, mund të ketë ecuri më agresive dhe të shkaktojë dëmtime të organeve më herët.

“Edhe nëse shfaqet diabeti te këto mosha të reja, tipi 2 di të jetë më agresiv, me dëmtim të organeve më shpejt”, theksoi Shaqiri.

Për më shumë shikoni të plotë podcastin "Shëndeti në rend të parë":


- YouTube www.youtube.com