Rrjeti iranian i atentateve në Greqi, takime sekrete në Iran dhe vende të treta, si i rekrutuan personat me precedentë penalë për të fshehur gjurmët

17/11/2026 19:58

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga hetimet për shkatërrimin e një rrjeti të dyshuar iranian, i cili dyshohet se po përgatiste një atentat ndaj një shtetasi izraelit në Greqi.

Anëtarët e grupit zhvillonin takime të fshehta në vende të treta, përfshirë edhe Iranin, me qëllim koordinimin e operacionit dhe shmangien e vëmendjes së autoriteteve.

Shërbimi Informativ Kombëtar i Greqisë (EYP) po heton kontaktet e rrjetit në disa shtete, si dhe lidhjet e tij me persona të dyshuar për bashkëpunim me shërbimet iraniane të inteligjencës.

Sipas hetimeve, plani dyshohet se ishte koordinuar nga shtetasi iranian Edris Jahangiri Mavaneh, i cili akuzohet se drejtonte krahun operacional të rrjetit dhe kishte rekrutuar persona me precedentë penalë për të fshehur gjurmët e përfshirjes së mundshme të Teheranit.

Hetuesit dyshojnë se grupi kishte lidhje të drejtpërdrejta me organizata kriminale dhe kishte marrë përsipër përgatitjen logjistike të një sulmi në Greqi.

Një tjetër pistë e rëndësishme e hetimit është lidhja e dyshuar e personave të arrestuar me organizatën kriminale të drejtuar nga Naji Sharifi Zindashti, një figurë e njohur e krimit të organizuar iranian, e cila është në vëmendjen e autoriteteve amerikane.

Dyshohet se Zindashti ka luajtur rol në rekrutimin e personave që do të kryenin atentatin, ndërsa hetuesit po përpiqen të zbardhin të gjithë zinxhirin e kontakteve dhe financimit.

Shënjestra e sulmit ishte, Avraam-Minos E. Moissis, një biznesmen dhe njëkohësisht dhe drejtues i lartë i një kompanie të prodhimit të armëve në izrael. Ai njihet kryesisht për rolet e tij drejtuese dhe pjesëmarrjen në bordet e drejtorëve të disa kompanive të mëdha në Greqi, veçanërisht në sektorin farmaceutik dhe atë tregtar/industrial.

Hetimet vijojnë në bashkëpunim mes shërbimeve greke, atyre të Maqedonisë së Veriut dhe agjencive të tjera ndërkombëtare, ndërsa po verifikohen edhe lidhjet e mundshme të rrjetit me persona të tjerë në rajon.

Top Channel