Një kamion i ngarkuar me zhavorr ka shkaktuar shembjen e një ure lundruese në Itali, duke përfunduar pjesërisht në ujërat e lumit Sile. Ngjarja ndodhi mëngjesin e kësaj të marte, në zonën e Caposile, në komunën Musile di Piave, pranë Venecias.
Ura u shemb rreth orës 09:20, teksa kamioni po kalonte mbi të. Pavarësisht momentit të rrezikshëm dhe përfundimit të mjetit në ujë, shoferi arriti të dilte vetë nga kabina dhe fatmirësisht nuk pësoi lëndime.
Në vendngjarje mbërritën ekipet e zjarrfikësve nga San Donà di Piave dhe Jesolo, të mbështetura nga një vinç i posaçëm nga Treviso, si dhe efektivë të policisë lokale.
Për shkak të ngarkesës së madhe, zjarrfikësit nisën fillimisht shkarkimin e zhavorrit nga kamioni, për të lehtësuar peshën e mjetit dhe për të mundësuar ndërhyrjen e sigurt. Paralelisht, në lumin Sile u vendosën barriera thithëse për të parandaluar përhapjen e mundshme të karburantit dhe ndotjen e ujit.
Sipas raportimeve paraprake, pesha e kamionit dyshohet se ka qenë shkaku i shembjes së strukturës. Autoritetet po vijojnë punën për sigurimin e zonës dhe largimin e mjetit të rëndë.

