Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar Iranin se do të përballet me pasoja të jashtëzakonshme në rast se tenton të sulmojë Uashingtonin me një “bombë të pistë”.
Reagimi i tij vjen pas raportimeve të CNN, sipas të cilave inteligjenca amerikane ka zbuluar të dhëna se Irani mund të jetë duke shqyrtuar mundësinë e një sulmi në kryeqytetin amerikan, përmes përdorimit të një bombe të pistë ose armëve kimike.
Të lidhura
None found
Gjatë një prononcimi për gazetarët në Manila, Trump u pyet nëse Teherani po përgatit një operacion të tillë. Presidenti amerikan tha se autoritetet po e analizojnë këtë skenar.
“Ne po e shqyrtojmë. Nëse ekziston një plan i tillë, ata do të paguajnë një çmim që asnjë vend nuk e ka paguar ndonjëherë më parë”, deklaroi Trump.
Ai u shpreh se shpreson që një sulm i tillë të mos jetë duke u përgatitur, ndërsa nënvizoi se administrata amerikane po i trajton me seriozitet maksimal informacionet e siguruara.
Pavarësisht këtyre raportimeve, Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se deri tani nuk është konstatuar ndonjë kërcënim i besueshëm dhe i menjëhershëm ndaj territorit të Shteteve të Bashkuara.
Teherani i ka hedhur poshtë akuzat e publikuara nga mediat amerikane. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane i ka cilësuar raportimet si të pabazuara dhe pjesë të një fushate që synon të krijojë justifikime për veprime të tjera kundër Iranit.
Sipas CNN, të dhënat e inteligjencës amerikane tregojnë se bëhet fjalë për shqyrtimin e mundësive të një sulmi, dhe jo për një vendim të konfirmuar për realizimin e tij.








