VIDEO/ Rrëzohet avioni ushtarak pranë Beogradit, humb jetën piloti 53-vjeçar Presidenti amerikan Donald Trump ka lëshuar një paralajmërim të ashpër ndaj Iranit, duke deklaruar se Teherani do të përballet me pasoja të paprecedenta nëse ndërmerr një sulm ndaj Uashingtonit me një të ashtuquajtur “bombë të pistë”.
Deklarata e Trump vjen pas raportimeve të CNN, sipas të cilave shërbimet amerikane të inteligjencës kanë evidentuar informacione se Irani mund të jetë duke shqyrtuar një plan për të kryer një sulm në kryeqytetin amerikan, duke përdorur një bombë të pistë ose armë kimike.
I pyetur nga gazetarët në Manila nëse Irani po planifikon një sulm të tillë, Trump u përgjigj se autoritetet amerikane po e shqyrtojnë këtë mundësi.
“Ne po e shqyrtojmë. Nëse ekziston një plan i tillë, ata do të paguajnë një çmim që asnjë vend nuk e ka paguar ndonjëherë më parë”, deklaroi presidenti amerikan. Ai shtoi se shpreson që një sulm i tillë të mos jetë në përgatitje, por theksoi se administrata amerikane po i merr shumë seriozisht këto informacione.
Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se deri më tani nuk ka kërcënime të besueshme dhe të menjëhershme ndaj territorit amerikan.
Ndërkohë, Irani ka mohuar pretendimet e publikuara në mediat amerikane. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane i ka cilësuar këto raportime si të pabaza, duke i konsideruar pjesë të një fushate për krijimin e justifikimeve për veprime të mëtejshme kundër Teheranit.
Sipas raportimit të CNN, informacionet e inteligjencës amerikane flasin për një fazë shqyrtimi të mundësive të sulmit dhe jo për një vendim të konfirmuar për të ndërmarrë një operacion të tillë.
Top Channel