Rrëzohet aeroplani ushtarak rus në Siberi, humbin jetën të 17 personat në bord

Të 17 personat që ndodheshin në bordin e një avioni transportues ushtarak rus të tipit An-12 kanë humbur jetën pasi mjeti ajror u rrëzua pranë fshatit Yagunovo, në rajonin e Kemerovos, në Siberi, të martën, më 17 nëntor.
Sipas raportimeve fillestare, dyshohet se një rrjedhje e karburantit shkaktoi zjarr në njërin prej katër motorëve të avionit, duke dëmtuar sistemet e kontrollit dhe duke bërë që ai të humbiste lartësinë me shpejtësi.
Mediumi rus Baza raportoi se specialistët që po shqyrtojnë rrënojat dyshojnë se karburanti ka rrjedhur nga një pompë e dëmtuar ose nga një tubacion në mbështjellësin e motorit, pjesa që rrethon motorin e avionit.
Dyshohet se karburanti mori flakë gjatë fluturimit, duke dëmtuar sipërfaqet e kontrollit të avionit. Më pas, ai u rrëzua në një fushë rreth pesë kilometra larg aeroportit të Kemerovos, transmeton Telegrafi.
Megjithëse shkaku i aksidentit ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, Baza raportoi se një vlerësim fillestar i rrënojave tregoi se njëri prej katër motorëve ishte dëmtuar dukshëm më shumë se të tjerët.
Three people were killed in an aircraft crash near the village of Yagunovo in Russia's Kemerovo Oblast, according to Russian media. Burning wreckage can be seen, with emergency services already at the scene.The type of aircraft involved has still not been disclosed. https://t.co/fTUKyi1TY4
— Special Kherson Cat 🐈🇺🇦 (@bayraktar_1love) November 17, 2026
Avioni An-12 po transportonte pjesë rezervë, për të cilat nuk janë dhënë detaje, nga Novosibirski drejt qytetit Kansk, në rajonin fqinj të Krasnojarskut. Ai kishte përshkuar rreth një të katërtën e itinerarit kur ekuipazhi lëshoi sinjalin e alarmit dhe kërkoi leje për një ulje emergjente në Kemerovo.
Megjithatë, avioni nuk arriti deri te pista e aeroportit. Ai u rrëzua në një fushë pranë Yagunovos, gjatë përpjekjes për të realizuar uljen emergjente.
Sipas Baza-s, banorët e zonës thanë se kishin parë një gjurmë të zjarrtë në qiell pak para rrëzimit. Mediumi raportoi më vonë se avioni kishte marrë flakë ende në ajër, ndërsa të dhënat paraprake tregonin për një defekt teknik.
Hetuesit po shqyrtojnë tri pista kryesore: mosfunksionimin e pompës së karburantit, rrjedhjen e vajgurit në mbështjellësin e motorit që mund të ketë shkaktuar zjarr, si dhe një defekt në sistemin hidraulik.
Ekipet e emergjencës vazhdojnë punën në vendin e ngjarjes. Në orët e para pas aksidentit, mediat ruse raportuan shifra të ndryshme për viktimat. Fillimisht u njoftua për tre të vdekur, ndërsa Baza më pas raportoi se kishte humbur jetën i gjithë ekuipazhi. Më vonë, numri i viktimave u përditësua në 17.
Guvernatori i rajonit të Kemerovos, Ilya Seredyuk, konfirmoi se kishte ndodhur një incident ajror pranë Yagunovos dhe bëri të ditur se shërbimet emergjente ishin angazhuar në vendin e ngjarjes, pa dhënë hollësi të tjera.
Rrëzimi i An-12 është incidenti më i fundit në një seri aksidentesh që kanë përfshirë aviacionin ushtarak rus gjatë këtij viti.
Three people were killed in an aircraft crash near the village of Yagunovo in Russia's Kemerovo Oblast, according to Russian media. Burning wreckage can be seen, with emergency services already at the scene.The type of aircraft involved has still not been disclosed. https://t.co/fTUKyi1TY4
— Special Kherson Cat 🐈🇺🇦 (@bayraktar_1love) November 17, 2026
Osinttechnical: Reportedly flying from Novosibirsk to Kansk, crashed near Yagunovo. No survivors reported https://t.co/Dkl36pvodV
— NΞMICO (@NemicoNetwork) November 17, 2026
Më 31 mars, një avion ushtarak rus An-26 u rrëzua gjatë fluturimit mbi Gadishullin e Krimesë, duke shkaktuar vdekjen e 29 personave.
Ndërkaq, më 29 shtator, një bombardues strategjik Tu-95MS u rrëzua në rajonin Amur të Rusisë, ku humbën jetën tetë oficerë rusë. Tre prej tyre ishin lidhur nga një bazë të dhënash ukrainase me organizimin e sulmeve raketore kundër Ukrainës.
Më 29 tetor, një aeroplan luftarak rus i tipit Su-57, i teknologjisë stealth, u dogj në aeroportin ushtarak të Akhtubinskut, pas një problemi gjatë ndezjes së motorit.
Drejtoria e Inteligjencës Ushtarake të Ukrainës (HUR) ia atribuoi incidentin përdorimit të dyshuar të karburantit me cilësi të dobët. Sipas saj, Rusia kishte ulur standardet e karburantit për avionët luftarakë në gusht, pasi sulmet ukrainase kishin reduktuar prodhimin në rafineritë e saj.
Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse ky ndryshim ka pasur ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me incidentin e Su-57. /Telegrafi/






































