Maqedonia e Veriut njofton parandalimin e një sulmi të lidhur me Iranin në Greqi
Autoritetet e sigurisë në Maqedoninë e Veriut bënë të ditur se kanë parandaluar një sulm të planifikuar në territorin e Greqisë, i cili dyshohet se ishte organizuar nga strukturat e inteligjencës së Iranit.
Sipas njoftimit zyrtar të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të Maqedonisë së Veriut, operacioni çoi në goditjen e strukturës operative të përfshirë në këtë komplot. Konkretisht, agjencia deklaroi se kishte shkatërruar “një rrjet të madh aktorësh të ndërmjetëm”, të lidhur drejtpërdrejt me shtetasin iranian Edris Jahangiri Mavaneh, i identifikuar nga autoritetet si një “bashkëpunëtor me shërbimet iraniane të sigurisë dhe inteligjencës”.
Sipas të dhënave të publikuara nga Shkupi zyrtar, anëtarët e këtij rrjeti po përgatisnin një “akt terrorist ose vrasje” që kishte në shënjestër një person të caktuar në Greqi. Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të mëtejshme mbi identitetin e objektivit të synuar apo numrin e të ndaluarve gjatë operacionit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




