Tensionet kanë vijuar edhe këtë të hënë përpara Kryeministrisë, në ditën e 171-të të protestës kundër qeverisë. Gjatë përplasjeve mes protestuesve dhe policisë, një vajze i ka rënë të fikët, ndërsa qytetarët e pranishëm i kanë dhënë ndihmën e parë dhe ujë.
Protestuesit nuk janë lejuar të qëndrojnë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke u detyruar të vijojnë protestën në trotuare. Kjo situatë ka sjellë përplasje në disa segmente të bulevardit, ndërsa policia ka ndërhyrë edhe për shoqërimin e protestuesve.
Në disa raste, shoqërimet janë shoqëruar me përplasje fizike. Në një moment, protestuesit janë bashkuar për të penguar lëvizjen e një furgoni policie, brenda të cilit ndodheshin persona të shoqëruar.
Pavarësisht tensioneve, protestuesit kanë vijuar thirrjet kundër qeverisë. Ata kanë kënduar këngë patriotike dhe kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe kabinetit të tij, duke e akuzuar për korrupsion në nivelet e larta të qeverisjes.














