Përplasje brenda PS? Qose: Nuk kemi fraksione apo grupime brenda partisë
Deputeti i Partisë Socialiste, Adi Qose, ka mohuar ekzistencën e fraksioneve apo grupimeve brenda PS-së, duke deklaruar se partia është e bashkuar, pavarësisht mendimeve të ndryshme që mund të shfaqen gjatë diskutimeve të brendshme.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në televizonin kombëtar Vizion Plus me moderator Aleksandër Furxhi, Qose theksoi se PS-ja është në unitet të plotë dhe se fokusi kryesor mbetet integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Sipas tij, anëtarët janë të lirë të shprehin mendime të ndryshme, por kjo nuk do të thotë se partia është e përçarë.
Pjesë nga intervista:
A ka sot në Partinë Socialiste, sipas mendimit tuaj, një grup apo një fraksion që mendon tashmë ndryshe nga kryetari i partisë? Elisa Spiropali nuk është e fundit, kam parasysh kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Adi Qose: Nuk mendoj se këtu kemi të bëjmë me një fraksion apo me një grupim. Ne jemi Partia Socialiste e Shqipërisë dhe jemi gjithmonë të njohur për demokracinë brenda partisë sonë. Patjetër që gjithmonë në çështje të ndryshme kemi diskutime dhe gjithsecili është i lirë të mendojë dhe të shprehë mendimin e tij. Ndaj ne jemi një familje e madhe, jemi partia e cila qeveris vendin tashmë prej shumë vitesh dhe pikërisht për këtë arsye mendimet ndryshe janë të mirëpritura dhe këto mendime nuk kanë qenë të pakta në raste të shumta dhe në çështje të cilat diskutohen brenda familjes dhe brenda forumeve tona për diskutime nga më të ndryshmet. Çka do të thotë edhe njëherë që nuk kemi të bëjmë as me fraksione, as me grupime. Partia Socialiste është në unitet të plotë. Ne jemi të gjithë të bashkuar. Kemi në fokus pikërisht integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, për të cilin na kanë mandatuar shqiptarët me 83 mandate në zgjedhjet e shkuara.
Dhe ky unitet, në qoftë se është për arsye të bindjeve politike të të gjithë deputetëve apo për arsye të disiplinës politike në parti?
Adi Qose: Unë mendoj që është e ndershme të themi që një parti ka nevojë të ketë edhe një unitet, edhe një disiplinë, sepse ne jemi pjesë e një grupimi politik. Jemi individë të cilët na lidhin edhe mendimet, edhe ideologjia politike e përbashkët. Patjetër ne jemi të lirë të mendojmë dhe të diskutojmë çështje nga më të ndryshmet, por besoj që për vendime të rëndësishme duhet edhe duhet të jemi bashkë si një parti dhe si një unitet. Kjo është zgjedhje e gjithkujt të shprehë, të vendosë të jetë pjesë e Partisë Socialiste ose jo, të shprehë mendimet kundër, por uniteti na bashkon të gjithëve. Ne jemi një grup i cili jemi të lidhur me njëri-tjetrin, ndajmë mendime të njëjta, por nga ana tjetër ndajmë dhe mendime të ndryshme. Pra asnjëherë kjo nuk na bën të ndarë nga njëri-tjetri.
/vizionplus.tv




