Dalja e Sali Berishës sot për të shpallur si gjithnjë mbështetjen politike të çdo proteste të dhunshme, nuk është gjë tjetër veçse një logjikë thuajse me manual e politikës opozitare shqiptare që nga 2013-a.

Berisha, i cili e ka natyrale, anatomike, ideologjike, madje gati antropologjike lidhjen e tij me atë që konsiderohet “Strategjia e tensionit”, jo vetëm që nuk mund të dalë jashtë atij know how leninisto-stalinist që ka marrë që fillimet e tij politike, por edhe i është bërë lëkurë, brand, identitet.

Të presësh një ndryshim profili dhe metode nga një 85 vjeçar që i ka rënë kavallit vetëm me këtë vrimë, është padyshim një përpjekje e kotë.

Por, që politikanë të rinj, të dalë e të shpallur si antagonist të Berishës dhe logjikës së një rifreskimi gjeneracional të klasës politike, të ndjekin thuajse pikë për pikë metodat dhe filozofitë e doktorit, kjo ngjan e panatyrshme.

Edhe pse në thelb është një makiavelizëm sipërfaqësor, apo një dembelizëm politik e pragmatizëm thuajse anadollak. Pasi objektivi është krejt i thjeshtë; të gjithë këto politikanët e rinj, duhet të marrin elektoratin që voton apo ka votuar për Sali Berishën dhe urren Edi Ramën.

Pikërisht ky koncept është krejt dritëshkurtër; pasi një politikë e re, synon të nisë një komunikim të ri me publikun, pa pasur dallime si ka votuar në të shkuarën, plus që ka një publik që vjen i freskët apo edhe i paangazhuar.

Një politikë e re fut një frymë që drithëron mjedisin, sjell një freski në të gjithë elektoratin, e vendos pikatat që atë që njerëzit presin; ndryshimin.

Ndërkohë, logjika e revolucionit transparent, nuk është asnjë gjë tjetër por gjithë taktika që ka ndjekur opozita e Sali Berishës dhe Ilir Metës që nga viti 2013, ku kanë lëvizur të gjitha levat për ta rrëzuar Edi Ramën me çdo gjë, përveçse zgjedhjet. Madje kur janë afruar zgjedhjet i janë shmangur sepse e kanë ditur se i kanë të humbura.

I kanë humbur se kanë pasur kauza të humbura, ose nuk kanë pasur fare. Ndërkohë Edi Rama, në çdo zgjedhje ka ardhur me një kauzë të tij.

Edhe pse e kanë arritur të vizatojnë portretin e një autokrati që po e mban pushtetin me shumë gjëra, po të kujtojmë revolucionet permanente që nga armët kimike, çadrën e 2017-s, djegiet e molotovët e 2019-s, 2021-shit e me radhë, revolucioni permanent ka qenë bumerangu politik që ka goditur opozitën e Sali Berishës.

Ardhja e opozitës tjetër, me një përshkallëzim i këtij revolucioni që çoi në djegien e Tiranës nuk është gjë tjetër veçse një boomerang edhe më i madh. Në një vend anëtar të NATO-s dhe kandidat për bashkimin Europian nuk është rrëzuar e nuk mund të rrëzohet një qeverisje me dhunë.

Protestat janë gjë tjetër, ata janë proces politik që kërkojnë numra, ide, përfaqësim, gjithëpërfshirje, e mbi të gjitha një vision për ndryshim e negocim. Këtë asnjëri nga aktorët anarkistë të djegies së Tiranës nuk e ka. Më të qartit deri tani janë proiranianët e Altin Goxhajt dhe Rinia Nacionaliste e Erdoganit që futen politikisht në skenë si forca të qarta antiperëndim./TemA