Avionët luftarakë amerikanë godasin një bazë raketore iraniane në ishullin Qeshm
Një zyrtar ushtarak amerikan ka njoftuar se avionë luftarakë të Shteteve të Bashkuara kanë goditur sot një vend nisjeje raketash iraniane në ishullin jugor iranian të Qeshm, i cili ndodhet në Ngushticën e Hormuzit.
Sipas deklaratës së zyrtarit amerikan për media, avionët kanë përdorur “municione precize” për të goditur objektin që i përkiste Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC). Operacioni është përshkruar si “pjesë e një operacioni të vetëmbrojtjes”.
“Sulmi u krye si përgjigje ndaj agresionit të IRGC-së që synonte anëtarët e shërbimit amerikan dhe asetet amerikane”, ka thënë zyrtari.
Ky veprim vjen pas një sulmi me dron ndaj një sistemi radari ushtarak amerikan në Bahrein, i cili ndodhi po sot.
Zyrtari ka shtuar se Komanda Qendrore e SHBA-së (US Central Command) “mbetet në gatishmëri të lartë dhe plotësisht e përgatitur për të mbrojtur civilët dhe personelin ushtarak amerikan në të gjithë rajonin”.
Ishulli i Qeshm, i vendosur në një pozicion strategjik në Ngushticën e Hormuzit – një nga rrugët më të rëndësishme të naftës në botë – është një zonë e ndjeshme nga pikëpamja ushtarake. Sulmi i sotëm shënon një eskalim të mëtejshëm të tensionit midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit në Gjirin Persik.
Deri më tani nuk ka pasur njoftime zyrtare nga ana iraniane lidhur me këtë incident, as informacione të detajuara për dëmet e shkaktuara apo për eventualet viktima.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



