Nëse një krizë do të ndërpriste energjinë elektrike, komunikimet apo furnizimin me produkte jetike, sa kohë do të mund të përballonim pa ndihmën e institucioneve?
Europa po përgatitet pikërisht për këtë skenar, duke u kërkuar qytetarëve të jenë të aftë të përballojnë vetë të paktën 72 orët e para të një emergjence.
Komisioni Europian ka prezantuar udhëzime të reja për gatishmërinë e popullsisë, që nga krijimi i një çante emergjence me ushqime, ujë, ilaçe dhe mjete komunikimi, deri te edukimi i fëmijëve, përfshirja e personave me aftësi të kufizuara dhe informimi i saktë në situata krize.
Synimi është që qytetarët të shërbejnë si një amortizator i goditjes, duke ulur presionin mbi infrastrukturat kritike dhe institucionet shtetërore në orët e para të emergjencës.
“72 orët e para janë më kritiket. Është normale që në situatën ku ndodhet Europa, e cila është në një lloj lufte hibride me Rusinë, të merren masa të tilla. Nuk ka nevojë për panik, është një reagim normal. Edhe Shqipëria duhet të bëhet gati. Ne kemi një lloj avantazhi, pasi nuk jemi 100% online, por duhet të mësojmë nga vendet europiane”, tha Ledion Krisafi-ekspert sigurie.
Rreziqet nuk janë më vetëm skenarë teorikë. Sulmet kibernetike ndaj sistemeve të lidhura me pajisje frigoriferike, cenimi i infrastrukturave të bankave të gjakut, ndërprerjet e energjisë elektrike në Spanjë dhe goditjet ndaj zinxhirëve të furnizimit tregojnë se një krizë mund të nisë në një sektor dhe të përhapë efektet në shumë të tjerë.
“Ne duhet të shohim se si po përgatiten vendet e tjera dhe të gjejmë mënyrën se si do të përgatitemi edhe ne. Edhe dy apo tri ditë vetëpërballim janë një hap i matur drejt vetëpërgatitjes. Ekonomia globale funksionon ditë pas dite dhe, nëse ndërpritet zinxhiri i furnizimit, pasojat janë të mëdha”, u shpreh Redion Qirjazi-ekspert sigurie.
Shqipëria nuk ka aktualisht një nivel të shtuar rreziku, por pozicioni i saj si vend anëtar i NATO-s e bën të domosdoshme forcimin e masave të sigurisë dhe gatishmërisë, në mënyrë që çdo krizë e mundshme ta gjejë vendin të përgatitur dhe jo në kushtet e emergjencës.
Udhëzimet e Komisionit Europian:
–krijimi i një çante emergjence me ushqime
-ujë
-ilaçe
-mjete komunikimi
-edukimi i fëmijëve
-përfshirja e personave me aftësi të kufizuara
-informimi i saktë në situata krize.











