Kryeministri Edi Rama i ka propozuar sipërmarrjes japoneze përfshirjen në projektin strategjik të hekurudhës Durrës–Prishtinë, e cila parashikohet të vijojë përmes Nishit dhe të lidhet me rrjetin hekurudhor të Europës Qendrore.
Gjatë një takimi të zhvilluar sot në Kryeministri me një përfaqësi të sipërmarrjes japoneze, Rama prezantoi interesin e përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës për të tërhequr investime nga Japonia në këtë projekt infrastrukturor.
Kreu i qeverisë bëri të ditur se e ka diskutuar disa herë këtë mundësi edhe me kryeministrin e Kosovës, duke e cilësuar përfshirjen e Japonisë si një mundësi me interes për të dyja vendet.
“Së bashku me Kryeministrin e Kosovës kemi biseduar më shumë se një herë se sa mirë do të ishte ta përfshinim Japoninë në projektin e hekurudhës së re nga Durrësi në Prishtinë, e cila më pas kalon nëpër Nish dhe lidhet me Europën Qendrore”, u shpreh Rama.
Një dimension tjetër i projektit, sipas kryeministrit, lidhet me rëndësinë strategjike për NATO-n dhe funksionin e Portit të ri të Durrësit. Ai tha se porti do të ketë edhe një degë të dedikuar për veprimtaritë ushtarake dhe ato të Aleancës.
“Kjo hekurudhë ka gjithashtu rëndësi shumë, shumë të madhe për NATO-n për shkak të Portit të ri në Durrës, i cili do të ketë edhe një degë të dedikuar 100% për veprimtaritë ushtarake dhe ato të NATO-s”, deklaroi kreu i qeverisë.
Rama i ftoi përfaqësuesit japonezë të shqyrtojnë projektin dhe të japin vlerësimin e tyre për mundësinë e investimit.
“Ky mund të jetë një investim shumë interesant. Nëse e shqyrtoni projektin, do të na vinte shumë mirë të dëgjonim mendimin tuaj”, tha ai.
Në përfundim, kryeministri theksoi se Shqipëria dhe Kosova janë të gatshme të bashkëpunojnë me kompanitë japoneze për të vlerësuar mundësitë e realizimit të kësaj vepre infrastrukturore.
“Së bashku me Qeverinë e Kosovës, jemi gati të punojmë me ju ose me cilindo partner nga Japonia për të parë nëse mund ta realizojmë këtë projekt”, nënvizoi Rama.

