Ka ndërruar jetë 83-vjeçari Selman Bardhi, i cili u aksidentua mbrëmjen e djeshme në qytetin e Elbasanit.

I moshuari nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të rënda të marra si pasojë e përplasjes nga një automjet, duke ndërruar jetë pas disa orësh në gjendje të rëndë shëndetësore.

Aksidenti u regjistrua rreth orës 17:15, në zonën e njohur si ish-Parku i Rezervave të Shtetit në Elbasan. Sipas informacioneve paraprake, 83-vjeçari po lëvizte në këmbë kur është përplasur nga një automjet, duke pësuar dëmtime të shumta dhe serioze.

Ajo që e bën edhe më shqetësuese ngjarjen është fakti se drejtuesi i automjetit, pas përplasjes, është larguar nga vendi i aksidentit, duke braktisur mjetin.

Në momentin e ngjarjes, në Elbasan mbizotëronin kushte të pafavorshme atmosferike, me reshje dhe shikueshmëri të reduktuar, rrethana që mund të kenë ndikuar në sigurinë e qarkullimit rrugor.

Ndërkohë, pritet që hetimet të zbardhin dinamikën e plotë të aksidentit, si dhe të përcaktojnë përgjegjësitë e drejtuesit të automjetit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb