“Nuk e mbajti premtimin”, Rama bën ironi me Farage në “The Independent”: Rënia e tij në sondazhet, mallkim për vërejtjet e tij për emigrantët shqiptarë

17/11/2026 21:09

Kryeministri Edi Rama ka ironizuar kreun e Reform UK, Nigel Farage, për deklaratat e tij kundër emigrantëve shqiptarë në Britaninë e Madhe, duke pretenduar se rënia e tij në sondazhe është pasojë e asaj që e cilësoi si “mallkimi shqiptar”.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën britanike “The Independent”, Rama është ndalur te deklaratat e Farage për shqiptarët që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar, duke kujtuar pretendimin e tij se një në 50 shqiptarë në Britani ndodhet në burg.

“Dhe ai ka nisur një sulm të ri tonin kritik, duke u tallur me rënien e Farage në sondazhe duke pretenduar se kjo është produkt i një ‘mallkimi shqiptar’ dhe shpresat e udhëheqësit të Reformës për të fituar pushtetin ‘nuk po shkojnë askund’”, shkruan “The Independent”.

Kryeministri Rama u shpreh se Farage se nuk e ka mbajtur premtimin për të vizituar Shqipërinë dhe për të verifikuar vetë shifrat që kishte deklaruar.

“Ai është shumë i mirë në bërjen e premtimeve, por nuk duket aq i mirë në mbajtjen e tyre”, është shprehur Rama.

Duke iu referuar edhe politikanes britanike Suella Braverman, e cila ka bërë më herët deklarata kritike ndaj shqiptarëve, Rama tha se politikanët që i sulmojnë shqiptarët nuk përfundojnë mirë politikisht.

“Mallkimi shqiptar është diçka nga e cila duhet të kesh kujdes, sepse kushdo që sulmon shqiptarët nuk përfundon mirë politikisht. Suella Braverman, ajo tani nuk është askund, apo jo? Edhe disa të tjerë nuk janë askund. I kam thënë mikut tim Nigel Farage ‘ki kujdes, sepse ekziston një mallkim shqiptar’”, deklaroi Rama.

Ai e cilësoi të turpshme përdorimin e komuniteteve, etnive dhe kulturave të ndryshme për qëllime politike, duke lënë të hapur edhe mundësinë që deklaratat e tilla të kenë karakter racist.

“Mund të jetë racizëm, mund të mos jetë racizëm. Por është e turpshme në të dyja rastet”, tha kryeministri.

Në intervistën e gjerë për gazetën britanike, Rama është ndalur edhe te zhvillimet e brendshme në Shqipëri, protestat kundër qeverisë dhe polemikat për projektin e investimit në ishullin e Sazanit, ku janë të përfshirë Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner.

Kryeministri ka mohuar akuzat për korrupsion lidhur me projektin, duke argumentuar se marrëdhëniet me investitorët amerikanë kanë nisur përpara se Donald Trump të bëhej president i SHBA-së. Ai ka theksuar se ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare dhe se projekti duhet t’u nënshtrohet vlerësimeve mjedisore.

Rama ka komentuar gjithashtu situatën politike në Britani, Brexit-in dhe ndikimin që, sipas tij, kanë rrjetet sociale në demokraci. Ai ka përmendur si figura që kanë ndikuar në formimin e tij politik ish-kryeministrin britanik Tony Blair, ndërsa ka shprehur vlerësim edhe për Margaret Thatcher.

Në fund, Rama ka përsëritur ambicien e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.

Top Channel