Prokuroria e Tiranës ka kërkuar dhe marrë masën e sekuestros për 29 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme të biznesmenit Ilir Shehu, i njohur edhe me aliasin Ilir Pasholli, mes të cilave përfshihen kompanitë “Medicamenta”, “Mega Store”, “Unipharma” dhe “Italialbania Pharma”.
Sekuestrimi është vendosur në kuadër të një hetimi pasuror, pas dyshimeve se pasuritë e biznesmenit dhe të personave të lidhur me të janë krijuar nga veprimtari kriminale, përfshirë trafikimin e lëndëve narkotike dhe kontrabandën e barnave mes Italisë dhe Shqipërisë.
Procedimi pasuror nr. 23 nisi pas akteve të përcjella nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, lidhur me një ankesë për pasuri që dyshohej se ishin përfituar në mënyrë të paligjshme.
Sipas hetimeve të Prokurorisë, Ilir Shehu alias Ilir Pasholli ishte zbuluar më herët nga autoritetet italiane si pjesë e një skeme të dyshuar kontrabande me ilaçe mes Italisë dhe Shqipërisë.
Skema, sipas dosjes hetimore, funksiononte përmes manipulimit të dokumentacionit doganor. Barnat bliheshin në Itali me faturë zyrtare, ku regjistroheshin më shumë se 10 artikuj të ndryshëm farmaceutikë. Në momentin e eksportit drejt Shqipërisë, dokumentacioni paraqitej në doganën italiane me vlerën dhe peshën reale të mallrave.
Ndërsa në doganën shqiptare, sipas hetimeve, lista e produkteve shkurtohej, duke deklaruar vetëm katër ose pesë artikuj, megjithëse pesha dhe vlera e përgjithshme ruheshin. Pjesa tjetër e barnave dyshohet se futej në tregun shqiptar pa dokumentacion të rregullt.
Një pjesë e produkteve, sipas Prokurorisë, legalizoheshin më pas përmes një operatori tjetër, me qëllim fshehjen e gjurmëve të origjinës së kontrabandës.
Në dokumentacionin hetimor thuhet se biznesmeni kishte krijuar një pasuri të konsiderueshme, përfshirë dy godina biznesi në Tiranë, me kapital të krijuar pas dënimit në Itali për trafik ndërkombëtar droge. Prokuroria evidenton gjithashtu se aksioneri italian i kompanisë “Medicamenta” është një shtetas italian që përballet me akuza për korrupsion në vendin e tij.
Nga analiza e dokumentacionit financiar dhe pasuror, organi i akuzës ka arritur në përfundimin se pasuritë e luajtshme të Ilir Shehut alias Ilir Pasholli kanë një nivel ekonomik të pajustifikuar. Sipas hetimeve, dyshohet se ato janë krijuar si rezultat i veprimtarisë kriminale. Në dosje përmenden edhe dënime të mëparshme për veprat penale “Përfitimi i mallrave të vjedhura”, “Pengmarrja” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”.
Pasuritë e sekuestruara
Në listën e pasurive të paluajtshme të regjistruara në emër të Ilir Pashollit përfshihen tetë prona:
- Pasuria me nr. 211/1/59, Z.K. 2119, vol. 12, fq. 12, Rurale 2.
- Pasuria me nr. 53/84, Z.K. 2735, vol. 9, fq. 219, Rurale 1.
- Pasuria me nr. 211/1/46, Z.K. 2119, vol. 10, fq. 237, Rurale 2.
- Pasuria me nr. 211/1/45, Z.K. 2119, vol. 10, fq. 236, Rurale 2.
- Pasuria me nr. 211/1/42, Z.K. 2119, vol. 10, fq. 218, Rurale 2.
- Pasuria me nr. 211/1/48, Z.K. 2119, vol. 11, fq. 76, Rurale 2.
- Pasuria me nr. 211/1/72, Z.K. 2119, vol. 12, fq. 149, Rurale 2.
- Pasuria me nr. 211/1/91, Z.K. 2119, vol. 14, fq. 8, Rurale 2.
Për subjektin “Mega Store” shpk është sekuestruar edhe pasuria me nr. 211/1/49, Z.K. 2119, vol. 11, fq. 77, Rurale 2.
Në listën e pasurive të luajtshme të lidhura me “Mega Store” përfshihen tetë automjete:
- Peugeot, vitprodhimi 2018.
- Volkswagen Jetta, vitprodhimi 2015.
- Mercedes-Benz GLE, vitprodhimi 2019.
- Skoda Kodiaq, vitprodhimi 2019.
- Volkswagen Caddy, vitprodhimi 2018.
- Volkswagen ID.3, vitprodhimi 2024.
- Land Rover Defender.
- Peugeot, vitprodhimi 2018.
Sekuestrimi përfshin gjithashtu subjektet “I. Sh.”, person fizik, “Medicamenta” shpk, “Mega Store” shpk, “Unipharma” shpk dhe “Italialbania Pharma” shpk, si dhe subjekte të tjera të regjistruara në emër të personave të lidhur me të.
Në emër të subjektit H.Sh. janë sekuestruar edhe gjashtë pasuri të paluajtshme në zonën kadastrale 3640, në Elbasan:
- Pasuria me nr. 218, vol. 3, fq. 144, ZVRPP Elbasan.
- Pasuria me nr. 221, vol. 3, fq. 146, ZVRPP Elbasan.
- Pasuria me nr. 284, vol. 2, fq. 141, ZVRPP Elbasan.
- Pasuria me nr. 175, vol. 3, fq. 103, ZVRPP Elbasan.
- Pasuria me nr. 1001, vol. 4, fq. 8, ZVRPP Elbasan.
- Pasuria me nr. 100/8, vol. 4, fq. 16, ZVRPP Elbasan.
Prokuroria e Tiranës dyshon se pasuritë e identifikuara nuk justifikohen nga burime të ligjshme financiare dhe kërkon sekuestrimin e tyre në kuadër të ligjit antimafia, për shkak të lidhjeve të dyshuara me aktivitetin kriminal.
Hetimi synon të dokumentojë origjinën e pasurive dhe lidhjen e tyre me veprimtarinë e dyshuar kriminale të biznesmenit dhe personave të tjerë të përfshirë.

