“Tony Blair më ka frymëzuar për të hyrë në politikë”, Rama “skanon” liderët britanikë: Për Thatcher kam admirim. Burnham? Një forcë e madhe natyrore

17/11/2026 22:04

Kryeministri Edi Rama ka komentuar gjendjen politike në Britaninë e Madhe pas Brexit-it, duke e cilësuar situatën e vendit si më të vështirë se atë të pjesës tjetër të Europës.

Në një intervistë për gazetën britanike “The Independent”, Rama u shpreh se largimi i Britanisë nga Bashkimi Europian ishte një rrugë vetëshkatërruese, ndërsa shprehu shpresën se kryeministri britanik do të arrijë ta ndryshojë këtë kurs.

“Britania është në një gjendje edhe më të dëshpëruar se pjesa tjetër e Europës. Shpresoj që kryeministri i ri të jetë në gjendje ta ndryshojë këtë rrugë të vetëshkatërrimit që nisi me Brexit-in”, deklaroi Rama.

Gjatë intervistës, kreu i qeverisë shqiptare foli edhe për kryeministrin Andy Burnham, për të cilin shprehu vlerësime, duke e cilësuar si një figurë me tërheqje të veçantë politike.

“Ai është një forcë e madhe natyrore. Ka një tërheqje të veçantë, sepse vjen nga përvoja e qeverisjes lokale, që është fusha e vërtetë e betejës politike. I thashë se admiroj atë që po bën, por unë jam shumë i vjetër për të qenë i përshtatshëm për Instagramin”, u shpreh kryeministri.

Rama u pyet gjithashtu se cili politikan britanik ka ndikuar më shumë në formimin e tij politik. Kryeministri shqiptar përmendi ish-kryeministrin Tony Blair dhe qeverinë e tij të New Labour, duke zbuluar se modeli i tyre politik ka qenë një nga frymëzimet kryesore për angazhimin e tij politik.

“Nëse Tony Blair dhe New Labour nuk do të ekzistonin, me shumë mundësi nuk do të isha frymëzuar për të hyrë në politikë”, u shpreh Rama. Ai theksoi se e kishte frymëzuar veçanërisht qasja pragmatike e Blair-it dhe përpjekja për të kapërcyer ndarjet tradicionale mes së majtës dhe së djathtës.

Kryeministri shqiptar shprehu gjithashtu admirim për ish-kryeministren konservatore Margaret Thatcher, duke nënvizuar se bindjet e tij socialiste nuk e pengojnë të vlerësojë figura të rëndësishme të krahut tjetër politik. Sipas Ramës, transformimet politike që ndodhën në Britani gjatë periudhës së drejtimit të Thatcher ishin të rëndësishme.

Një pjesë të rëndësishme të intervistës Rama ia kushtoi edhe ndikimit të rrjeteve sociale në demokraci, duke ngritur shqetësimin për përhapjen e ekstremizmit, teorive konspirative dhe propagandës në platformat online.

Sipas tij, rrjetet sociale po dëmtojnë funksionimin e demokracive, duke ndryshuar mënyrën se si ushtrohet liria e shprehjes.

“Demokracitë tona po hahen të gjalla nga e keqja e rrjeteve sociale. Ne kemi lejuar që liria e fjalës të zëvendësohet nga liria e shpërndarjes dhe e arritjes te publiku”, deklaroi Rama.

Top Channel