Një aksident tragjik ajror është regjistruar në Siberi të Rusisë, ku një avion ushtarak transporti është rrëzuar, duke shkaktuar vdekjen e të 19 personave që ndodheshin në bord.
Lajmi është raportuar nga mediat shtetërore ruse, të cilat i referohen një njoftimi të Ministrisë së Mbrojtjes. Avioni i tipit An-12 po kryente një fluturim të planifikuar kur u rrëzua në një zonë të pabanuar të rajonit të Kemerovos, gjatë ditës së martë.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se shkak i aksidentit mund të ketë qenë një defekt teknik.
Guvernatori i rajonit, Ilya Seredyuk, bëri të ditur se ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe arritën të neutralizonin flakët që përfshinë zonën pas rrëzimit, pranë fshatit Yagunovo.
Ndërkohë, forcat e policisë rrethuan perimetrin, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të tragjedisë. Pritet që ekspertizat të sqarojnë nëse rrëzimi erdhi si pasojë e një defekti teknik apo e faktorëve të tjerë.
