Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në pritjen e mbajtur para Forumit të Tretë Ekonomik Kosovë-Poloni, që do të zhvillohet nesër dhe pasnesër në Prishtinë.
Në aktivitet ishin të pranishëm përfaqësues institucionalë, anëtarë të komunitetit të biznesit, ekspertë dhe sipërmarrës nga të dy shtetet.
Të lidhura
None found
Kurti tha se synimi i Kosovës është të zgjerojë prodhimin vendas dhe eksportet, si dhe të krijojë hapësira të reja për investime e bashkëpunim ekonomik me Poloninë.
“Synojmë të prodhojmë më shumë në vendin tonë dhe të eksportojmë sa më tepër jashtë tij. Nuk dëshirojmë të jemi thjesht një treg për të tjerët; duam të ofrojmë produkte e shërbime dhe të jemi partnerë përmes investimeve në Republikën e Kosovës”, u shpreh Kurti.
Ai njoftoi se diskutimet në forum do të trajtojnë tri fusha kryesore: ekonominë dhe qeverisjen digjitale; mbrojtjen, sigurinë dhe teknologjitë e sigurisë kibernetike; si dhe zhvillimin e prodhimit, infrastrukturës dhe energjisë.
Sipas Kurtit, këto sektorë krijojnë mundësi për ndarjen e përvojave dhe për ndërtimin e lidhjeve të reja që mbështesin zhvillimin.
Kryeministri theksoi gjithashtu rëndësinë e partneritetit me Poloninë, anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ku Kosova synon të bëhet pjesë në të ardhmen.
Kurti rikujtoi se Polonia do të marrë pjesë muajin e ardhshëm në takimin e G20-s në Shtetet e Bashkuara.








