Një operacion i posaçëm sigurie u zhvillua të martën, më 17 nëntor 2026, në ambientet e Gjykatës së Reimsit në Francë, ku u angazhuan forcat speciale të administratës penitenciare për shoqërimin e një të paraburgosuri shqiptar.

Bëhet fjalë për Edison Pulën, i dyshuar nga autoritetet si drejtuesi i grupit kriminal shqiptar të njohur me emrin “Nikla”.

Sipas mediave franceze, Pula akuzohet për përfshirje në rreth 50 grabitje të banesave luksoze në Francë dhe Belgjikë. Grupi dyshohet se kishte shënjestruar kryesisht biznesmenë, futbollistë, këngëtarë dhe figura të njohura publike.

Dëmi ekonomik i shkaktuar nga aktiviteti i dyshuar kriminal vlerësohet në mbi 1 milion euro.

Pula ishte arratisur në vitin 2022 nga burgu i Trevisos në Itali, ndërsa u arrestua në Luksemburg në janar të vitit 2025.

Në seancën e zhvilluar më 17 nëntor në Gjykatën e Reimsit u shqyrtua kërkesa për zgjatjen e masës së paraburgimit ndaj tij. Për transportimin dhe garantimin e sigurisë së të dyshuarit u angazhuan forcat e specializuara ERIS, pjesë e sistemit të sigurisë së burgjeve franceze.