Një alarm i pazakontë në ekranet televizive dhe transmetimet radiofonike në SHBA është pjesë e një testimi kombëtar të planifikuar, që po zhvillohet nga Agjencia Federale për Menaxhimin e Emergjencave (FEMA) dhe Komisioni Federal i Komunikimeve (FCC).
Sipas njoftimit publik të FCC-së, testimi ishte parashikuar të niste të martën, rreth orës 14:20 sipas kohës lindore amerikane, duke përfshirë transmetimet televizive dhe radiofonike në të gjithë vendin. Gjatë ushtrimit, programet e zakonshme mund të ndërpriten për t’i lënë vend sinjalizimit të emergjencës.
Autoritetet kanë bërë të ditur se alarmi duhet të përmbushë kërkesat federale për aksesueshmërinë, në mënyrë që njoftimet të jenë të kuptueshme edhe për personat me aftësi të kufizuara. Në rast se testimi nuk mund të përfundojë të martën, data 3 dhjetor është përcaktuar si alternativë.
FEMA dhe FCC sqarojnë se bëhet fjalë për një ushtrim rutinë, që synon të verifikojë funksionimin e Sistemit të Alarmit të Emergjencave (EAS) dhe përgatitjen e tij për situata reale. Testimi ishte njoftuar që në shtator, ndaj qytetarët nuk duhet ta ngatërrojnë sinjalin me një emergjencë të vërtetë.
Autoritetet kanë theksuar gjithashtu se ushtrimi nuk ka lidhje me valën e fundit të defekteve teknologjike që kanë prekur institucione federale dhe kompani private në SHBA.
Testimi zhvillohet në një moment kur vendi po përballet me shqetësime për qëndrueshmërinë e infrastrukturës teknologjike, pas problemeve të raportuara në sisteme të ndryshme, përfshirë ato të Microsoft, Apple, Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (NSA) dhe Administratës Federale të Aviacionit (FAA).

