Deputeti i Partisë Socialiste, Ermal Pacaj ka deklaruar në emisionin “Trialog” në RTSH24, se çdo mendim kundër u tha brenda Asamblesë dhe se çfarë ka ndodhur mbetet aty.
Duke komentuar dinamikat e mbledhjes së mbyllur të Asamblesë Kombëtare, ai theksoi se qëndrimet e ndryshme janë shprehur brenda strukturave zyrtare të partisë.
“Ne për hatër të paneleve televizive nuk mundemi me u bë një subjekt politik që ka një anarki të strukturës së vet… Struktura e partisë është një strukturë serioze e Partisë Socialiste, që respekton kryetarin e partisë, edhe kryetari i Partisë Socialiste ka përgjegjësinë për ta drejtuar. Edhe një ndër gjërat e tjera është edhe disiplina që duhet të ketë një subjekt politik”, tha Pacaj.
Lidhur me mënyrën se a pati hapësirë për ndryshime apo kundërshtime gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura, Pacaj shpjegoi procedurën e ndjekur nga sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi.
“Në atë ç’ka ndodhi brenda Asamblesë së Partisë Socialiste në mbledhjen e mbyllur… ashtu në fund fare të mbledhjes, Sekretari i Partisë Socialiste zoti Klosi tha se; ‘Kush ka mendim tjetër përveç kësaj që foli kryetari i partisë?’. Dolën, mbajtën qëndrimet e tyre tre anëtarë të Asamblesë Kombëtare, edhe kolegë deputetë ndër ta. Në mbyllje u diskutua: ‘Ka dikush tjetër? Ka dikush tjetër?’. Nuk ishte dikush tjetër dhe u mbyll, edhe vendimi u mor”, u shpreh deputeti.
Pacaj ritheksoi se debatet dhe diskutimet e zhvilluara brenda forumit më të lartë mes Kongreseve mbeten aty ku u zhvilluan.
“Çdo mendim që ishte kundër u tha aty. Kush kishte propozime për të tjera, përsëri u mbajtën aty. Çfarë ka ndodhur në Asamblenë e Partisë Socialiste në mbledhjen me dyer të mbyllura, mbetet aty”, shtoi më tej ai.










