Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë shkëmbyer zjarr të martën, në një tjetër përshkallëzim të konfliktit mes dy vendeve. Ushtria amerikane ka goditur një pozicion për lëshimin e raketave në ishullin Qeshm, në Ngushticën e Hormuzit, pasi Garda Revolucionare iraniane njoftoi se kishte shënjestruar një sistem radar amerikan në Bahrein.
Sipas një zyrtari ushtarak amerikan, sulmi ndaj pozicionit iranian u krye në përgjigje të asaj që Uashingtoni e cilësoi si “agresion ndaj personelit dhe aseteve amerikane”.
Më herët, Garda Revolucionare deklaroi se kishte sulmuar sistemin radar në bazën Sheikh Isa në Bahrein. Autoritetet e këtij vendi thanë se e kishin interceptuar sulmin dhe se nuk kishte persona të lënduar apo dëme materiale. Bahreini strehon selinë e Flotës së Pestë të Marinës amerikane.
Pavarësisht përplasjeve ushtarake, përpjekjet diplomatike për t'i dhënë fund luftës vijojnë. Zyrtarë iranianë dhe të Katarit zhvilluan bisedime të martën, ndërsa ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, vizitoi Omanin, ku diskutoi për sigurinë e korridoreve detare, lëvizjen e lirë të tregtisë dhe shmangien e përshkallëzimit ushtarak.
Në qendër të shqetësimeve mbetet Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës kalonte rreth një e pesta e furnizimeve botërore me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm përpara konfliktit. Sulmet ndaj cisternave janë shtuar, ndërsa autoritetet britanike njoftuan se ekuipazhi i një cisternë të sulmuar në veri të portit omanian Khasab rezultonte i pagjetur.
Ndërkohë, të paktën pesë anije janë goditur nga mina detare në Ngushticën e Hormuzit, teksa lundronin në rrugë që Irani i cilëson si të paautorizuara. Ushtria iraniane deklaroi se kalimi i sigurt në këtë korridor kërkon koordinim me forcat e saj të armatosura dhe respektimin e rrugëve të përcaktuara të lundrimit.
Ndërkohë, Donald Trump ka deklaruar se SHBA-ja do të ruajë bllokadën detare ndaj Iranit, duke e akuzuar Teheranin për pengimin e transportit detar. Presidenti amerikan tha gjithashtu se Uashingtoni po e merr seriozisht mundësinë e një sulmi iranian me “bombë të pistë” në kryeqytetin amerikan. Teherani i ka mohuar këto pretendime, duke i cilësuar si akuza të pabaza.
Konflikti po shtrihet edhe në pjesë të tjera të rajonit, ndërsa Irani ka paralajmëruar Bahreinin për bashkëpunimin ushtarak me SHBA-në. Nga ana tjetër, çmimi i naftës Brent u rrit me 0.4%, duke arritur në 92.76 dollarë për fuçi, në një treg që vijon të ndikohet nga pasiguria dhe tensionet në Lindjen e Mesme.








Komente
Komento