Masakra e Borsellinos/ Ish-kreu i Policisë italiane nën hetim për manipulim të drejtësisë, kërkohet arrestimi i “peshkaqenit” Gianni De Gennaro

17/11/2026 22:40

Prokuroria italiane dyshon se ish-shefi i Policisë ka ushtruar presion mbi informatorin e mafies Salvatore Contorno për të mos dëshmuar dhe ka fshehur dokumente që mund të ndihmonin në zbardhjen e një prej atentateve më të rënda të historisë italiane.

Një emër i rëndësishëm i institucioneve italiane të sigurisë është vënë në qendër të një prej hetimeve më të ndjeshme për mafien. Gianni De Gennaro, ish-shef i Policisë së Shtetit dhe një prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të gjyqtarit Giovanni Falcone, po hetohet nga Prokuroria e Caltanissettas për dyshime mbi pengimin e drejtësisë dhe devijimin e hetimeve për masakrën e Via D’Amelio-s, ku më 19 korrik 1992 u vra Paolo Borsellino dhe pesë anëtarë të eskortës së tij.

Prokuroria kishte kërkuar arrestimin e De Gennaros dhe disa personave të tjerë, por gjyqtari për hetimet paraprake e rrëzoi kërkesën. Organi i akuzës e ka kundërshtuar vendimin dhe çështja pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Rishikimit më 1 dhjetor.

Në qendër të hetimit janë dyshimet për një marrëveshje heshtjeje me Salvatore Contornon, ish-anëtar i Cosa Nostras dhe më pas bashkëpunëtor i drejtësisë. Sipas prokurorëve, De Gennaro dhe bashkëpunëtorët e tij dyshohet se kanë ushtruar presion mbi të që të mos fliste për ngjarje të vitit 1989 dhe për rrethanat që paraprinë masakrat mafioze të vitit 1992.

Dyshimet lidhen edhe me kontakte të zhvilluara gjatë vitit 2025, përpara se Contorno të thirrej nga prokurorët. Më 15 maj të atij viti, ai zgjodhi të mos përgjigjej gjatë marrjes në pyetje.

Një tjetër pistë e rëndësishme ka të bëjë me fshehjen dhe asgjësimin e dokumenteve që mund të përmbanin informacione të vlefshme për hetimet. Mes tyre janë shënime, materiale gjyqësore dhe dokumente të lidhura me arrestimin e Contornos në vitin 1989 dhe me të ashtuquajturin “Korbi i Palermos”.

Por elementi më i ndjeshëm mbetet “Axhenda e kuqe” e Paolo Borsellinos, e cila u zhduk menjëherë pas atentatit të 19 korrikut 1992 dhe nuk u gjet kurrë. Në të, gjyqtari mbante shënime dhe reflektime që mund të kishin rëndësi për hetimet mbi mafien dhe lidhjet e saj.

Hetuesit po rishqyrtojnë edhe rolin e Arnaldo La Barberas, ish-kreut të Skuadrës Lëvizëse të Palermos, si dhe marrëdhëniet e tij me De Gennaron. Në fokus është edhe mënyra se si u zhvilluan hetimet e para për masakrën, të cilat u njollosën nga deklarimet e rreme të Vincenzo Scarantinos dhe devijimi i hetimeve.

Kush është Gianni De Gennaro?

I njohur me nofkën “Peshkaqeni”, De Gennaro ka pasur një karrierë rreth 50-vjeçare në strukturat më të larta të shtetit italian. Ai bashkëpunoi ngushtë me Giovanni Falconen në hetimet që çuan drejt “Maxi-Procesit” kundër mafies dhe drejtoi Policinë e Shtetit nga viti 2000 deri në vitin 2007.

Më pas drejtoi shërbimet e inteligjencës italiane (DIS), ndërsa nga viti 2013 deri në vitin 2020 ishte president i Leonardos, gjigantit italian të industrisë së mbrojtjes.

Ironia e këtij hetimi qëndron pikërisht këtu: njeriu që për dekada u konsiderua një prej figurave kryesore të luftës kundër Cosa Nostra, sot gjendet nën hetim për dyshime që lidhen me një nga kapitujt më të errët të historisë së antimafies italiane që u mori jetën disa magjistratëve dhe zyrtarëve të lartë.

Top Channel