Një oficer i Ushtrisë së SHBA-së, i arrestuar në Mbretërinë e Bashkuar nën dyshimin për spiunazh në favor të Rusisë, është marrë në paraburgim nga autoritetet ushtarake amerikane, njoftoi të martën policia britanike kundër terrorizmit.
Ushtaraku i rangut të lartë, 41 vjeç, është arrestuar javën e kaluar pranë qytetit Gloucester, në perëndim të Anglisë, nga policia britanike kundër terrorizmit.
Ushtaraku ishte i vendosur në kazermat Imjin në Innsworth, në Gloucestershire, ku ndodhet selia e Korpusit Aleat të Reagimit të Shpejtë të NATO-s.
Policia Kundër Terrorizmit ka bërë të ditur se ushtaraku më pas është transferuar në paraburgimin ushtarak amerikan, për shkak të dyshimeve lidhur me sigurinë kombëtare dhe spiunazhin.
Fillimisht, policia britanike ka njoftuar se ai është arrestuar në bazë të neneve 1 dhe 3 të Ligjit për Sigurinë Kombëtare të vitit 2023, që kanë të bëjnë me marrjen ose zbulimin e informacionit të mbrojtur dhe ndihmën ndaj një shërbimi të huaj të inteligjencës.
“Më pas, është marrë vendim që hetimi t’u kalojë atyre (autoriteteve amerikane)”, ka thënë në një deklaratë Laurence Taylor, ndihmëskomisioner dhe drejtues i policisë kundër terrorizmit.
