Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat e zhvilluara në Shqipëri, kundërshtitë për projektin turistik në ishullin e Sazanit dhe pakënaqësinë e qytetarëve për koston e jetesës dhe korrupsionin, në një intervistë për gazetën britanike “The Independent”.
Duke folur për protestat, të cilat sipas gazetës janë ndër më të mëdhatë që prej rënies së komunizmit, Rama u shpreh se rrjetet sociale kanë ndikuar në përhapjen e zemërimit publik dhe kanë deformuar debatin demokratik.
“Kjo është mënyra se si Shqipëria u bë skena e një zemërimi që e çoi vendin në çdo ekran kompjuteri në të gjithë botën”, deklaroi kryeministri.
Ai tha se përjetimi i këtyre zhvillimeve e kishte shqetësuar thellësisht, duke kritikuar ndikimin e platformave online në shoqëritë demokratike.
“Ishte shqetësuese, sepse e ndjeva në lëkurën time se çfarë katastrofe janë rrjetet sociale. Pashë se si demokracitë tona po hahen të gjalla nga e keqja e rrjeteve sociale”, u shpreh Rama.
Sipas tij, dikur liria e publikimit shoqërohej me përgjegjësi, pasi gazetat dhe botuesit kishin mekanizma kontrolli për atë që publikohej. Ndërsa sot, sipas Ramës, grupet ekstremiste dhe përhapësit e teorive konspirative kanë mundësi të organizohen dhe të shpërndajnë idetë e tyre në të gjithë botën.
“Ne, demokracitë, kemi lejuar që liria e fjalës të zëvendësohet nga liria e arritjes te publiku”, ishte një nga deklaratat më të forta të kryeministrit në këtë intervistë.
Një tjetër temë ishte projekti i zhvillimit turistik në ishullin e Sazanit, ku janë të përfshirë Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, dhe investitorë të tjerë ndërkombëtarë. Rama e cilësoi të shtrembëruar mënyrën se si është paraqitur çështja, duke argumentuar se interesimi i Kushnerit për investimin në Shqipëri kishte nisur përpara se Donald Trump të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë.
“Kur u takova me Jared Kushnerin dhe kur ai më pyeti nëse mund të shqyrtonte një investim të mundshëm në Shqipëri, Donald Trump nuk ishte president i Shteteve të Bashkuara. Ai ishte subjekt i sistemit të drejtësisë penale në SHBA dhe në atë kohë dukej se kishte shumë më tepër mundësi të përfundonte në burg sesa të shkonte në Shtëpinë e Bardhë”, deklaroi Rama.
Kryeministri shtoi se e kishte mirëpritur interesimin e investitorit amerikan, duke argumentuar se ai duhet vlerësuar për mundësitë që sjell për vendin dhe jo për lidhjet familjare.
“Pse duhet të më interesojë kush është vjehrri i tij?”, u shpreh Rama.
Ai bëri të ditur se ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare për projektin dhe se negociatat kanë vijuar prej vitesh. Sipas tij, shteti shqiptar po negocion pjesën e vet në investim, ndërsa vlerësimet mjedisore do të përcaktojnë nëse projekti mund të realizohet. Rama hodhi poshtë idenë se zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e mjedisit janë domosdoshmërisht të papajtueshme.
“Një zhvillim i keq mund të jetë shumë i dëmshëm, por mund të jetë shumë mirë të rigjenerosh një zonë të mbrojtur përmes zhvillimit”, argumentoi ai.
Në mbrojtje të politikave mjedisore të qeverisë, Rama përmendi zgjerimin e zonave të mbrojtura në më shumë se 20 për qind të territorit të vendit, ndalimin dhjetëvjeçar të gjuetisë dhe kufizimet për shfrytëzimin e pyjeve.
Gjatë intervistës, kryeministri foli edhe për transformimin ekonomik dhe turistik të Shqipërisë gjatë dekadës së fundit.
Sipas tij, kur mori drejtimin e qeverisë, më pak se dy milionë turistë hynin në Shqipëri çdo vit, ndërsa sot kjo shifër ka kaluar 12 milionë. Po ashtu, ai pretendoi se Prodhimi i Brendshëm Bruto është rritur nga më pak se 10 miliardë euro në rreth 30 miliardë euro.
Megjithatë, Rama pranoi se rritja ekonomike dhe ndryshimi i vendit kanë krijuar pritshmëri të reja te qytetarët, të cilët kërkojnë të përfitojnë më shumë nga zhvillimi.
“Njëherë njerëzit donin një rrugë të re, ndërsa sot duan rrugën që ende mungon”, tha ai.
Duke iu referuar mendimtarit francez Alexis de Tocqueville, Rama argumentoi se përmirësimi i kushteve ekonomike nuk sjell domosdoshmërisht kënaqësi më të madhe, pasi njerëzit fillojnë të shohin më shumë atë që u mungon sesa atë që kanë fituar.
“Njerëzit nuk pyesin më ‘A ka ndryshuar Shqipëria?’. Sot ata pyesin ‘Ku jam unë në këtë ndryshim? Çfarë përfitoj unë prej tij?’”, deklaroi kryeministri.
Në fund, Rama përsëriti ambicien për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030, duke e cilësuar integrimin si një projekt paqeje, sigurie dhe bashkëpunimi.
“Ne duam të jemi pjesë e Bashkimit Europian. Duam të anëtarësohemi tani, por nuk do ta ndryshojmë kurrë mendjen për këtë objektiv, edhe nëse Bashkimi Europian do të zhdukej. Ne do ta ndërtonim atë në Tiranë”, u shpreh ai.
Kryeministri theksoi se për shqiptarët Europa përfaqëson edhe mundësinë për të zgjedhur vetë të ardhmen, pas një historie të gjatë nën sundimin e perandorive dhe regjimeve të ndryshme.
“Ne vijmë nga një histori ku kemi qenë të detyruar të jetojmë nën fuqi, perandori dhe regjime. Nuk kemi qenë kurrë në gjendje të zgjedhim”, përfundoi Rama.










