Bie Apple në të gjithë botën, mijëra përdorues pa shërbimet iCloud dhe Apple Pay Një anije transportuese gazi është përmbysur në Detin e Zi, pranë brigjeve të Bullgarisë, pasi dyshohet se është goditur nga një objekt ende i paidentifikuar.
Të 19 anëtarët e ekuipazhit janë shpëtuar nga autoritetet, ndërsa gjendja e anijes mbetet ende e paqartë.
Sipas mediave të huaja, ngjarja ndodhi mëngjesin e së martës, në zonën ekskluzive ekonomike të Bullgarisë. Kompania greke Stealth Maritime, që menaxhon anijen, konfirmoi se transportuesi i gazit, i quajtur “Gas Husky”, ishte goditur gjatë lundrimit.
Sipas Ministrisë bullgare të Transportit, anija mbante rreth 3,400 tonë gaz të lëngshëm të naftës (LPG). Ngarkesa ishte marrë në Aleksandri të Egjiptit dhe destinacioni i saj ishte porti i Midias në Rumani.
Autoritetet njoftuan se anija humbi kontaktin me radarët pak pas mesnatës. Rreth orës 08:02 të mëngjesit, ajo dërgoi një sinjal emergjence, rreth 50 milje detare në lindje të qytetit Byala.
Pas marrjes së sinjalit, autoritetet kërkuan ndihmën e Forcave Ajrore për të kontrolluar zonën nga ajri. Gjatë operacionit u zbulua një anije e përmbysur, që dyshohet se ishte “Gas Husky”.
Rreth 300 metra larg saj u gjet edhe një gomone shpëtimi. Ekuipazhi ndodhej në të dhe kishte lëshuar një sinjal emergjence.
Të 19 personat u shpëtuan dhe u transportuan me helikopter drejt bazës ajrore Chaika, në qytetin e Varnës.
Ky është incidenti i dytë i ngjashëm në Detin e Zi brenda pak ditësh. Autoritetet po përballen me një seri ngjarjesh të tilla, të cilat dyshohet se lidhen me luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
Vetëm një ditë më parë, 12 persona u shpëtuan pasi anija tregtare “Betul 8”, me flamur somalez, u përmbys pranë brigjeve të Bullgarisë. Sipas dyshimeve, ajo ishte goditur nga një dron.
Anija po udhëtonte nga Tulcea në Rumani drejt Egjiptit dhe transportonte afro 3,000 tonë grurë.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka njoftuar një paketë financiare për rritjen e sigurisë në Detin e Zi.
Ajo përfshin 50 milionë euro për një qendër të sigurisë detare, që do të drejtohet nga Bullgaria dhe Rumania, si dhe 10 milionë euro të tjera për forcimin e kapaciteteve të kërkim-shpëtimit të Bullgarisë.
Top Channel